Vllaznia është rikthyer sot në fushë për të nisur përgatitjet për ndeshjen ndaj Skënderbeut në transfertë, që do të luhet të premten në orën 16:45 në stadiumin e Korçës.

Megjithatë, gjatë dy fazave të para të kampionatit është vënë re qartë se Vllaznia çalon në lojën sulmuese. Nuk është fjala vetëm për sulmuesit, që nuk po shënojnë, por më shumë për mënyrën e lojës, ku kuqebluve disa ndeshje u ka munguar fantazia përpara dhe pasimet e sakta në zonë.

Kur Da Silva dhe Latifi nuk janë në formën e tyre më të mirë, diçka duket se nuk shkon me lojën e skuadrës shkodrane. Në fakt, për shumicën e golave këtë sezon, meritë të madhe marrin Da Silva dhe Latifi, të cilët bëjnë gjithçka mirë në krahët e tyre, kur luajnë, por kur mungon ose njëri ose tjetri, loja e Vllaznisë çalon së tepërmi në fazën sulmuese.

Kur si Da Silva, ashtu edhe Latifi mungojnë, ose nuk janë në formën e tyre më të mirë, sulmi i Vllaznisë, që është nga më të mirët e kampionatit, duket se e humbet “busullën” fare.

Megjithatë, mbetet për t’u parë se si do të vijojnë ndeshjet e Vllaznisë, së bashku me dy lojtarët Victor Da Silva dhe Liridon Latifi, që mbeten dy nga lojtarët më të rëndësishëm për ekipin kuqeblu.
Maringlen ZHIVANI