Gerard Pique tha ne nje interviste per “The Telegraph”, ku shqyrtoi tema të ndryshme: që nga situata politike në Katalonjë deri në largimin e Neymar, verën e kaluar, te PSG-ja.

Komentet për politikën: “Politika është gjithnjë e vështirë për t’u folur, sepse, si në futboll, mendimet janë radikale. Ti mendon në një mënyrë, një tjetër mendon në mënyrë të kundërt… dhe është pothuajse një luftë. Ndjenjat janë shumë të forta”.

Situata e komplikuar që ndodhi tetorin e kaluar: “I vetmi problem është se shumë njerëz këtu në Katalonjë duan të shkëputen nga Spanja.

Por, është e vështirë, kur keni kaq shumë njerëz me mënyra të ndryshme të të menduarit. Eshtë e vështirë të arrini në një vend, ku të gjithë janë të lumtur. Nëse ju shpjegoni veten me respekt dhe përpiqeni të tregoni pse ndjeheni në këtë mënyrë, nuk ka problem”.

Komentet mbi rrjetet sociale, si sportet, ashtu edhe fushat e tjera, kanë krijuar polemika në më shumë se një rast: “Unë jetoj me këtë presion, që kur isha shumë i ri, jo më tani që jam 30 vjeç. Kam më shumë se dhjetë vjet duke luajtur për Barcelonën dhe duke qenë një profesionist. E di se ndonjëherë fjalët kanë pasoja, por përpiqem të zgjedh fjalët e duhura gjatë gjithë kohës. Ndonjëherë është e qartë se e vërteta lëndon dhe nganjëherë njerëzit nuk duan ta dëgjojnë atë, ndaj thonë se jeni gabim. Në fund të ditës ne jemi njerëzor. Është e drejtë që njerëzit si Gary Lineker të flasin dhe të thonë atë që mendojnë. Unë e njoh personalisht dhe mendoj se ai është një djalë i mrekullueshëm”.

Neymar te PSG: “Ju duhet të përpiqeni të bëni më të mirën për klubin tuaj. Unë kisha krijuar marrëdhënie korrekte dhe miqësi me Neymarin.

Marrëdhënia ime me të është shumë e fortë, por në të vërtetë Neymar e dëmtoi klubin, kur u largua. Si një mik, kam provuar të kuptoj këtë ndryshim kursi të tij, por pa iu imponuar në asgjë. Si një tifoz i Barcelonës më dhemb dhe e kuptoj se ndoshta disa tifozë janë të zhgënjyer me mënyrën se si ai u largua”.

Arsyet për largimin e brazilianit: “Është shumë e vështirë për të gjetur një lojtar që qëndron në të njëjtin klub, sepse gjithmonë ka nevojë për më shumë motivim. Ai donte të luftonte për gjëra të reja. Neymar është në kërkim të “Topit të Artë”, kështu që unë mendoj se është e drejtë të shkojë në Paris, ku do të jetë ylli kryesor. Nëse bën një punë të mirë në Ligën e Kampionëve dhe në Francë, ai ka mundësi për ta fituar “Topin e Artë”.

Puna e Guardiolës: “Për mua, ai është një nga trajnerët më të mirë në botë. Kur kam punuar me të për katër vjet në Barcelonë, kemi fituar shumicën e titujve, duke luajtur një futboll tjetër, një futboll të ri, që tani të gjitha ekipet duan ta luajnë. Ajo që po bën te Manchester City këtë sezon është e pabesueshme, ai është duke thyer të gjitha rekordet”.

Ndeshja kundër Chelsea: “Çdo vit është më e vështirë për shkak se klubet duan të na mundin. Ky është një kapitull i ri në karrierën tonë, por këtë vit jemi duke i bërë gjërat mirë dhe mund ta fitojmë përsëri Ligën e Kampionëve. Natyrisht, është me të vërtetë e vështirë. Varet shumë nga gjendja sportive që do të jemi në shkurt dhe mars. Mund të luani dy ndeshje dhe mund të largoheni nga konkurrenca, prandaj duhet të shmangni një ditë të keqe dhe keni nevojë për pak fat”.

Kjo nuk do të ndryshojë mënyrën e tij të reagimit: “Gjithmonë përpiqem të jap mendimin tim. Nganjëherë më kritikojnë për atë që them, por nuk jam i shqetësuar. Mbi të gjitha, unë jam ai që jam dhe nuk ndryshoj çdoherë që të tjerët thonë diçka, që nuk është e drejtë apo… Nëse është e vërtetë, unë do ta them atë”.