Presidenti i Adës Alfred Pjetri ka mbetur i zhgënjyer nga disa prej futbollistëve të ardhur nga Vllaznia gjatë këtij sezoni në formë huazimi. Ai dhe pjestarët e tjerë të klubit velipojak, kanë mbetur të pakënaqur nga ajo që po tregojnë këto futbollistë në fushë. Në një prononcim për gazetën online www.shkodrasport.com ai ka thënë: “Të them të drejtën nuk e kisha menduar kurrë që nga 15 pikët e mundshme në këto 5 ndeshjet e para të fazës së dytë të merrnim vetëm 4 pikë. E them këtë nisur nga përforcimet që bëmë në merkaton e janarit duke ofruar lojtarë shumë cilësorë. Por për çudi ata ende nuk kanë dhënë asgjë nga ajo çfarë prisnim. Mbase duan kohën e duhur për t’u ingranuar në skuadër por them se ata duhet të ndryshojnë. Vetë pretendojnë që pse jo të jenë pjesë e Vllaznisë por ata në fakt nuk po e justifikojnë praninë e tyre as tek Ada”. Një deklaratë e fortë kjo që duhet “t’i shkundë” këta futbollistë. Sepse në fakt po ta marrësh Adën emër për emër çuditesh pse ajo ndodhet në vendet e fundit të tabelës së renditjes. Por sigurisht që pritet kthesa, madje që këtë javë në ndeshjen ndaj Tërbunit në Pukë. I pyetur në lidhje me këtë takim presidenti Pjetri, do të shprehej: “Sigurisht që është një ndeshje e vështirë por ne shkojmë në Pukë me qëllim për të marrë fitoren. Do ta kërkojmë deri në fund atë sepse mundësitë dhe lojtarët për ta bërë këtë gjë, i kemi. Kampionati sa vjen e bëhet më i vështirë sepse jemi disa skuadra me pikë të barabarta dhe prandaj na duhet të kërkojmë pikë në çdo ndeshje për të shpëtuar sepse këtë sezon bien katër skuadra nga kategoria”.
Gjergj KOLA