Situata te Dinamo nuk është aspak e mirë, me skuadrën kryeqytetase që rrezikon seriozisht rënien nga kategoria. Një situatë që sjell nervozizëm, episode aspak të këndshme dhe ndëshkime.

Pas gjobës ndaj Sabien Lilajt, “Panorama Sport” mëson se drejtuesit e Dinamos kanë marrë masa edhe ndaj Eni Imamit, edhe pse ky i fundit, i rikthyer nga dëmtimi, nuk luajti as në derbin me Tiranën të shtunën në Elbasan.

Gazeta zbulon nga burime në klub se mbrojtësi do të stërvitet me Dinamon U-21 deri në një vendim të dytë. Shkak për këtë masë ndaj zëvendëskapitenit blu është bërë një debat që ai ka pasur para ndeshjes në Elbasan me drejtorin e përgjithshëm të Dinamos, Ermal Barushi.

Një debat, që ka nisur për shkak të një përshëndetjeje që Imami ka pasur me pjesëtarët e stolit të Tiranës para derbit dhe që më pas ka agravuar.

Në këtë situatë, klubi ka marrë masë ndaj lojtarit për çështje disiplinore, duke vendosur që ai të mos stërvitet me ekipin e parë.

Kujtojmë që pas humbjes me Kukësin klubi mori masa edhe ndaj Lilajt, sepse u konfrontua me tifozët e Dinamos.