Dinamo po mbyll javën e dytë të për gatitjeve verore dhe grupi vazhdon të pësojë lëvizje. Ka të rinj që vijnë për provë, afrime me peshë që mbeten vetëm të zyrtarizohen nga klubi, por edhe çështje të hapura. I tillë është rasti i afrikanëve: mesfushorit Lansinet Sidibe dhe sulmuesve Artur Rexhinaldo dhe Stefen Çinedu.

Që të tre lojtarët janë nën kontratë me kryeqytetasit, por ende nuk po duken në stërvitje. Kjo vonesë e stërzgjatur e tyre lë të kuptohet se ata nuk duan të kthehen. E megjithatë, pa miratimin e drejtuesve nuk mund të aktivizohen me asnjë skuadër tjetër.

NEGOCIATAT “E NGRIRA” – Për momentin gjithçka është pezull. Tre afrikanët në fakt kanë bërë një gabim. Ndryshe nga të gjithë lojtarët e tjerë nën kontratë, ata nuk janë paraqitur në klub, çka do të thotë se ndaj tyre mund të merren masa. Nëse ata do t’i ishin përgjigjur njoftimit zyrtar dhe do të kishin ndjekur të njëjtën rrugë si “senatorët” e tjerë, mund të shmangnin një problematikë të tillë.

Fillimisht do të bisedonin me blutë për rishikimin e kontratës për Kategorinë e Parë, siç kanë bërë Imami, Lilaj, Demiri, Maliqi, Bardhi dhe ndonjë tjetër. Pastaj palët do të merrnin një vendim përfundimtar, nëse do të vazhdonin së bashku apo shpallnin “divorcin”.

Imami, Lilaj dhe Bardhi kanë rënë dakord të qëndrojnë te Dinamoja, kurse Demiri dhe Maliqi do të largohen. Të njëjtën rrugë drejtuesit e Dinamos do të ndiqnin edhe me tre afrikanët, por në mungesë të tyre nuk kanë çfarë bisedimesh të bëjnë. Situata mbetet “e ngrirë” për momentin, por kuptohet që trajnerit Nevil Dede dhe stafit të tij u prish punë.

NDËRHYRJA NË MERKATO – Para nisjes për fazën përgatitore në Pogradec, grupi duhet të jetë i plotë. Është ky plani fillestar i klubit dhe stafit teknik. Në këtë mënyrë trajneri do të ketë mundësinë që të fokusohet tek ata lojtarë, me të cilët do të punojë sezonin e ardhshëm për objektivin “Superiore”. Sezonin e fundit Sidibe luajti titullar në mesfushë dhe ndonjëherë në mbrojtje.

Çinedu e nisi si formacion kampionatin, por në gjysmën e dytë u ul në stol, duke ia lënë vendin Rexhinaldos së ardhur në merkaton e dimrit. E thënë troç, mungesa e tyre prish punë. Nëse tre afrikanët përfundimisht nuk do të jenë pjesë e bluve, atëherë klubi duhet të gjejë zëvendësuesit e tyre në merkato sa më parë.