Ante Zivkoviç largohet i tronditur nga Shqipëria dhe nga klubi i Kukësit, aventurë e cila zgjati vetëm pak muaj, edhe pse kishte kontratë deri në vitin 2024.

Në një prononcim ekskluziv për “Panorama Sport”, sulmuesi kroat tregon çfarë i ka ndodhur të premten në ambientet e klubit, nga ku është ndier i kërcënuar për jetën dhe është detyruar të firmosë atë që i kanë kërkuar drejtuesit.

Ai shprehet se nuk ka menduar kurrë se këto sjellje mund të ndodhin në shekullin e 21-të.

“Së pari, jam ende në tronditje të asaj që ndodhi të premten në ambientet e klubit. Mendova se një sjellje e tillë, siç kam përjetuar nga drejtuesi i klubit ku kam qenë pjesë, nuk i përket shekullit të 21-të.

Thjesht kërkova që të shlyheshin borxhet e mia. Në pesë muajt që kam kaluar në Tiranë kam marrë vetëm një rrogë dhe kam dhënë gjithmonë maksimumin në stërvitje dhe ndeshje dhe nuk kam sjellë asnjëherë probleme.

Kur më humbi durimi dhe kërkova borxhet, njerëzit e klubit më thirrën për t’i zgjidhur problemet dhe erdha me shpresën se gjithçka do ta zgjidhnim në mënyrë paqësore.

Mirëpo, ata më kërcënuan dhe nuk mund të largohesha nga klubi derisa të pranoja kushtet e tyre, sepse thjesht nuk kisha zgjidhje”, rrëfehet fillimisht Zivkoviç, me tronditjen që nuk i ka kaluar ende, edhe pse aktualisht ndodhet në Kroaci, pasi mori menjëherë gjërat dhe u nis për në vendin e tij, për shkak se e ndiente veten të rrezikuar.

AKUZAT – Në vijim, Zivkoviç tregon edhe detaje tronditëse nga ajo përplasje me drejtuesit e klubit, ku akuzon administratorin dhe drejtorin sportiv të verilindorëve për goditje ndaj tij, ku kanë tentuar t’i rrëmbejnë dhe thyejnë telefonin.

“Në një moment Lavdrim Gjici ka tentuar të më rrëmbejë celularin nga duart dhe ta thyejë, ndërsa drejtori sportiv, Naim Halili, më ka goditur me grusht në kokë.

Në atë moment isha në tronditje dhe stres total dhe thjesht doja të largohesha nga klubi dhe vendi dhe rashë dakord me kushtet e ofruara.

Dua të përmend se i jam mirënjohës trajnerit Dobi dhe kapitenit Taipi, sepse ata më trajtuan si njerëz dhe më mbrojtën dhe se gjithçka përfundoi pa pasoja të rënda”, u shpreh Zivkoviç, i cili mesa duket në këtë situatë të vështirë ka gjetur mbështetje te trajneri dhe kapiteni i skuadrës.