Zyrtarisht kjo është java ku Vllaznia ka hyrë në dy ditët e fundit të përgatitjeve për ndeshjen e Superkupës. Shkodranët do luajnë ditën e mërkurë kundër Tiranës në orën 19:00, me takimin që do zhvillohet në “Air Albania”. Një duel që shikon fituesit në fuqi të kampionatit dhe ata të kupës në edicion e shkuar.

Një duel i klasikes së Shqipërisë që sjell përballë dy ekipet më të vjetra në vend dhe dy nga ato me më shumë traditë. Superkupa nga shumë kush mund të konsiderohet si një trofe për prestigj. Por si tek kuqeblutë ashtu edhe tek kryeqytetasit duket se motivimi është në kulm dhe dëshira për të triumfuar ndaj rival historik është shumë e madhe.

Tek shkodranët gjithçka duket në humorin e duhur. Edhe miqësoret pavarësisht kundërshtarëve modestë kanë treguar një formë sportive të mirë dhe një ritëm të kënaqshëm.

Ekipi vuan nga dëmtimi i Bulatoviç dhe hijet e dyshimit për aktivizimin e Juriç dhe Latifit. Ku mbrojtësi duket se e ka më të vështirë se prishtinasi për të qenë pjesë e sfidës.

Një fakt i tillë nuk e tremb kampin shkodran, ku secili prej futbollistëve do japë maksimumin në sfidën e së mërkurës. Kjo për të treguar edhe superioritetin ndaj kryesuesve aktualë të Superiores dhe po ashtu rivalëve për titull në këtë edicion 2022-23.
Endri ÇINARI