Këtë të shtunë një ngjarje e pazakontë ka ndodhur në futbollin e femrave, ku ekipi i Kukësit ka zbritur në fushën e lojës kundër skuadrës së Kinostudios vetëm me shtatë futbolliste. Por nuk përfundon këtu, pasi ndeshja ka zgjatur vetëm 10 minuta sepse një prej lojtareve të Kukësit është dëmtuar dhe sipas rregullores, kur në fushë mbetesh me gjashtë futbolliste, atëherë loja ndërpritet dhe nuk mund të vazhdojë.

Por përse është paraqitur me vetëm 7 futbolliste ekipi i Murlanit, që prej pak kohësh përfaqëson Kukësin? “Panorama Sport” ka komunikuar me Kujtim Shabën, i cili është administratori i klubit.

Përse u paraqitët me vetëm 7 futbolliste këtë të shtunë?

Si fillim dua të them që disa prej vajzave janë dëmtuar dhe për këtë ndeshje madje kam kërkuar që të shtyhet. Janë dëmtuar në stërvitje dhe nuk është se kemi aq organikë të zgjeruar dhe do të presim që të rikthehen në janar. Pastaj kemi edhe pjesën e lekëve, që deri tani nuk është paguar askush.

Ju tani përfaqësoni Kukësin, keni folur me drejtuesit e klubit?

Po, kam folur edhe me drejtuesit e Kukësit, sepse siç e thatë edhe ju, luajmë për ta. Ne jemi munduar që t’i mbajmë këto vajza, pasi tani po bëhen rreth 15 vite dhe vetëm një ekip ka te futbolli i femrave. Kam debatuar edhe me këta të Kukësit pasi vajzat kanë nevojë dhe duhet të paguhen.

Janë detyrime që duhet të jepen, vijnë çdo ditë në stërvitje, ne kemi shpenzime sepse janë femra dhe duhet t’u mundësojmë edhe transportin pasi nuk janë të gjitha në qytet. Duke mos i paguar, dikush nuk vjen, dikush është e dëmtuar dhe ja, kjo është problematika dhe ata të Kukësit më kanë thënë që as në dhjetor, FSHF-ja nuk do të japë asnjë lekë.

Sa kohë ka kjo situatë?

Vjet, ekipit të Murlanit nuk i kanë dhënë asnjë lek. Na kanë mbajtur 23 milionë lekë dhe mendoj se është e çuditshme, sepse arsyeja është që unë isha kandidat për kryetar në Shoqatën Rajonale të Shkodrës. Por ne jemi munduar që t’i paguajmë vetë të gjitha vajzat një më një, edhe pse s’kemi marrë asnjë lek nga FSHF-ja. I kam të gjitha me dokumente, që i kemi paguar muaj për muaj.

Kemi pasur pesë braziliane dhe u nisëm të bënim një ekip konkurrent, por FSHF-ja për habi ne na shkriu e nuk na futi në kampionat dhe la Kinostudion. Nuk kemi marrë asnjë, ashtu edhe vjet, ku ekipet e tjera morën vetëm nga 3 muaj, ndërsa ne asnjë. Mund t’i pyesësh fare mirë edhe ekipet e tjera. Ndërsa tani kam biseduar prapë dhe asnjëri nuk ka marrë lekë, duke e ditur se sa është shuma që akordon UEFA për futbollin e femrave. Por Shoqata Rajonale e Futbollit në Shkodër ka shumë problematika.

Çfarë problematikash?

E kanë shkatërruar futbollin. Dje ekipi i Murlanit U-17 ka shkuar në Lezhë për të luajtur në Kampionatin Amator që do të niste dhe kur shkuam aty nuk kishte arbitra.

Si nuk kishte arbitra?

Po, nuk kishte dhe nuk luajtëm. Gjithë ato shpenzime, pritëm një orë dhe u kthyem. Imagjino çfarë lloj serioziteti. Ndërkohë që Shoqata e Shkodrës ka buxhet 128 milionë lekë për 2022-shin. Atëherë ku janë këto lekë, pse nuk dërgon arbitra? Komunikova dhe më thanë që ta fitoj ndeshjen në tavolinë. Po çfarë po më duhet ndeshja në tavolinë mua, djemtë janë të vegjël dhe kanë qejfin që të luajnë futboll. E kanë shkatërruar komplet futbollin.