Ndeshja e Superkupës do jetë dueli i parë zyrtar për Vllazninë që pas ndërprerjes së kampionatit. Kuqeblutë do jenë ditën e mërkurë përballë Tiranës, në orën 19:00 në stadiumin “Air Albania”. Shkodranët e drejtuar nga Josa, kanë një duel jo vetëm prestigji përballë kryeqytetasve, por edhe një duel force.

Kjo për të treguar edhe dominancën dhe superioritetin ndaj kundërshtarit. Shkodranët po bëjnë përgatitjet e duhura për një sfidë të tillë e ndërsa duhet të bëjnë llogaritë edhe me disa dëmtime. Kështu Darko Bulatoviç është zyrtare që nuk do jetë pjesë e sfidës për shkak të dëmtimit. E ndërsa dyshime ka edhe mbi Juriç, kroati po ashtu ka pasur shqetësime së fundmi.

Një “dhimbje koke” ndoshta për Josen që duhet të riformatojë me siguri qendrën e mbrojtjes. Ku të dy ballkanasit kanë qenë titullarë absolutë në këtë edicion për kuqeblutë. Por është edhe një futbollist që kthehet pas 3 muajsh mungesë dhe ai është Liridon Latifi. Një prej futbollistëve më me klas jo vetëm tek Vllaznia, por mbarë Superliga.

28-vjeçari tashmë duket se ka hedhur pas shqetësimin që e shoqëroi për shumë kohë. Ndoshta prishtinasi ende nuk gëzon formën e duhur fizike dhe ritmin e duhur për 90 minuta të plota. Por patjetër që ai do jetë një “armë” më shumë për ekipin, që në këtë periudhë e ka vuajtur shumë mungesën e fantazisë dhe golat e ish-futbollistit të Skënderbeut.
Endri ÇINARI