Sulmuesit e krahut, Ildi Gruda që vjen nga Teuta dhe Darko Dodev nga Bregalnica e Shtipit në Maqedoninë e Veriut, janë lojtarët e parë të afruar në këtë merkato vere nga Vllaznia. Të dy pritet të zyrtarizohen nga klubi në ditët në vijim dhe do të jenë pjesë e stërvitjes së parë të skuadrës më 12 qershor.

Ndërkohë, drejtori sportiv, Elvis Plori, bashkë me trajnerin Migen Memelli, po shqyrtojnë një listë të gjatë lojtarësh të lirë në treg, që mund t’i bëjnë punë Vllaznisë.

Në orët e fundit pranë klubit shkodran është lakuar emri i kapitenit të Kukësit, Gjelbrim Taipi.

Mesfushori pëlqehet shumë dhe mësohet se ka pasur negociata për një akord të mundshëm mes palëve, por duket se Taipi duhet të mbyllë më parë llogaritë me Kukësit, e më pas të vendosë për të ardhmen.

Në Shkodër besojnë se do ta bindin 30- vjeçarin të firmosë me Vllazninë.