Vllaznia mori një pikë të rëndësishme në transfertë ndaj Laçit. Shkodranët barazuan 0-0 e tashmë ndodhen 2 pikë larg Teutës kryesues.

I ftuar në emisionin “Fair Play” zv.trajneri Elvis Plori analizoi ecurinë e skuadrës si dhe merkaton e bërë në janar. “Duhet ta kuptonim pak më shpejtë që skuadrat kundërshtare e kishin mësuar lojën tonë. Tani edhe lojtarët janë më gati dhe ne kemi bërë një autokritikë duke qenë se ka ardhur edhe fundi i kampionatit.

Merkato? Jemi të qartë për blerjet edhe pse nuk kemi bërë blerje me shuma të mëdha. Kemi sjell lojtarë që nuk e prishin grupin dhe nuk marrin shumë të mëdha parash.

Dua të sjell një shembull dhe nuk dua të ofendoj skuadrat e tjera. Partizani bëri blerje shumë të mirë, por deri tani janë aktivizuar shumë pak, ose Tirana.

Është frika pasi lojtarët mund të mos përshtaten shumë shpejt me skuadrën. Është e frikshme të dublosh lojtarët që janë emra të mëdhenj. Vllaznia ka dublime dhe kemi bërë mirë në janar edhe pse mund të kishim bërë më mirë.

Edhe me Avdiajn u munduam të shfrytëzonim ardhjen e tij, siç ishte edhe rasti i Dungës. Fati i keq i tij është se e ndjekin problemet fizike dhe është e dëmtuar.

Kalezic ka bërë shumë mirë në kampionatin malazez dhe ne na ka ndihmuar shumë. Gjithashtu edhe Cisse është rritur shumë dhe mund të na ndihmojë shumë për këtë fund sezoni.

Ne nuk kemi prishur grupin me afrimet që kemi bërë dhe kemi qenë në harmoni edhe pas rezultateve jo të mira e mendoj se do të arrijmë objektivin që kemi. Partizani duket që ka marrëdhënie shumë të mira me Bylisin pasi kanë marrë lojtarë e fituan sot.” /newsport/