Bylis-Kastrioti ishte një prej ndeshjeve të javës së parë të Superligës. Takimi që u luajt ditën e djeshme në “Adush Muça” të Ballshit shikoi si triumfues vendasit me rezultatin 2-0. Një start i mirë ky për mallakastriotët që si objektiv kanë qëndrimin në Superiore, ashtu si edhe krutanët.
Por ajo që ra në sy në këtë takim ishte numri i lartë i futbollistëve shkodranë që u aktivizuan. Madje dy kapitenët e të dy skuadrave ishin nga Shkodra. Trumçi për Bylis dhe Karakaçi tashmë që prej sezonit të shkuar, kapiten i Kastriotit. Tek Bylis u aktivizua si titullar edhe Marcelino Preka në qendër të mbrojtjes, që zhvilloi një ndeshje goxha pozitive.
Po ashtu nga stoli erdhi edhe Eridon Qardaku, golashënuesi më i mirë i Kategorisë së Parë në sezonin e shkuar. Tek Kastrioti përveç Karakaçit, në minutën e 62-të në fushë u hodh edhe Edon Hasani, por pa mundur të lërë gjurmë. Pra plot 5 futbollistë shkodranë u aktivizuan dje në fushën e lojës në këtë ndeshje.
Kjo duke qenë disi paradoksale me atë çfarë bëri Vllaznia ditën e shtunë kundër Erzenit. Skuadra kuqeblu hodhi në fushën e lojës vetëm 4 futbollistë nga Shkodra. Ku si titullar ishin vetëm Gurishta e Hakaj e ndërsa nga stoli erdhën edhe Çoba dhe Kruja. Gjithsesi tashmë futbolli është një industri vetëm në lëvizje dhe patjetër nuk mund të pretendohet që një skuadër të ketë futbollistë vetëm nga qyteti që përfaqëson.
Endri ÇINARI