Aventura e Harry Kane me fanellën e Bayern Munich mund të zgjasë vetëm një sezon. Sipas asaj që raportohet nga “Givemesport.com”, në fakt, Manchester United e ka piketuar qendërsulmuesin anglez si përforcimin ideal, prej nga t’ia rifillojë sezonin e ardhshëm, edhe nëse nuk do të jetë e lehtë për ta rrëmbyer nga bavarezët, duke pasur parasysh investimin e bërë verën e kaluar dhe shifrat rekord të futbollistit në planin personal, këtë sezon.
Sipas informacioneve të portalit anglez, megjithatë, Kane do të ishte i hapur për një rikthim në Premier League, veçanërisht nëse nuk merr ndonjë trofe me fanellën e Bayernit, ku kishte lëvizur pikërisht për të mbushur vitrinën e zbrazët ekipore.
Cilësitë e qendërsulmuesit anglez i përforcojnë maksimalisht numrat e tij në Bavari: 30 gola në 25 paraqitje të Bundesligës, 6 gola në 8 paraqitje të Champions League, për gjithsej 36 gola në 34 paraqitje, me gjithashtu 11 asiste në sezonin e parë me Bayern Munich.
Megjithatë, bavarezët janë aktualisht në vendin e dytë të Bundesligës, 10 pikë pas Bayer Leverkusen në renditje, kanë humbur Superkupën e Gjermanisë dhe janë eliminuar nga “DFB Pokal”.
Pra, përveç shpresave të venitura për titullin në Bundesligë, gjigantët gjermanë duhet të përpiqen “all in” në Champions League, në mënyrë që të mos rrezikojnë, pas një dekade të bollshme, ta mbyllin sezonin pa asnjë trofe. Një realitet hipotetik i frikshëm, që rrezikon ta largojë Kane nga Mynihu drejt Manchesterit./telesport/