Kristian Panuçi do të ketë një telash të madh për të zgjidhur më 17 nëntor, pasi do të ketë mungesën e një elementi “të paprekshëm” në radhët e kuqezinjve deri tani, Elseid Hysajt.

Mbrojtësi shkodran i kombetares tone u ndëshkua sot me karton të verdhë dhe plotësoi numrin e kartonëve, që sjellin një ndeshje pezullim sipas rregullores së turneut.

Ajo ndeshje është sfida me Skocinë, e fundit në grup për kuqezinjtë dhe për trajnerin do të jetë një muaj aspak i lehtë për të zgjedhur një zëvendësues ideal për lojtarin që ka qenë gjithmonë pjesë e rreshtimit kuqezi.

Që kur Panuçi ka marrë drejtimin e kombëtares shqiptare, Hysaj ka luajtur në 11 nga 12 ndeshjet nën drejtimin e trajnerit, në të gjitha titullar, duke munguar vetëm në sfidën ndaj Jordanisë, ku për më tepër u luajt skema me 3 mbrojtës e nuk u testua një zëvendësues direkt i tij.

Kandidati më i mundshëm për ta zëvendësuar mbetet Ivan Balliu, i vetmi mbrojtës i djathtë që aktivizohet rregullisht me skuadrën e tij. Megjithatë, nuk është çudi që futbollistin ta zëvendësojë edhe Frederik Veseli, i cili ka mbuluar këtë rol disa herë gjatë karrierës në klube. /vipsport/