Pol Pogba ashtu siç pritej ka vendosur që të rimarrë numrin 10 te Juventusi, atë që e veshi në sezonin e fundit përpara se të largohej në drejtim të Mançester Junajtidit, por në të njëjtën kohë atë që la bosh edhe një prej miqve të tij më të mëdhenj, Paulo Dibala.
Pas prezantimit në rrjetet sociale nga ana e klubit, ku mesfushori francez veshi bluzën bardhezi, Pogba la edhe disa ndjesi të para për kanalin “Twitch” të Juves, përpara prezantimit zyrtar, sot në orën 15:00.
Pol, çfarë do të thotë të jesh rikthyer këtu?
Siç thonë anglezët, “Home sweet home”. Ndihem vërtet shumë mirë, pasi këtu ka një atmosferë vërtet të lumtur dhe jam i paduruar për të luajtur me Juven, me skuadrën time.
Çfarë ndjeni kur vishni këtë bluzë?
Kjo fanellë është gjithçka për mua, pasi ishte Juvja ajo që më dha mundësinë që të isha “Pogba”. Kjo bluzë dhe kjo skuadër janë gjithçka për mua dhe mendoj se tani është radha ime për t’u rikthyer çfarë më kanë ofruar. Jam këtu që t’u dhuroj trofe, sepse Juventusi meriton vetëm të fitojë dhe të jetë gjithmonë i pari.
Çfarë ju shtyu t’i thoni “po” thirrjes së Juves?
Sepse vetëm këtu mund të rigjeja dëshirën për të luajtur futboll. Kisha nisur të flisja me Alegrin, me miqtë e mi të vjetër si Markizio e Evra, por edhe me Dibalën e Kuadradon. Kam qenë gjithmonë në kontakt me Juven, por pasi fola me Nedvedin dhe presidentin menjëherë zemra më tha që të vija sërish këtu.
Çfarë nënkupton bluza me numër 10 dhe çfarë u premtoni tifozëve?
Rimora numrin që i lashë Dibalës kur unë u largova. Ndërkohë që tifozëve u them se ka ardhur koha. Ka ardhur koha që të ngremë trofe. Objektivi i parë është të rikthejmë titullin në shtëpi.