Pogradeci i këtij sezoni duket krejt tjetër që kur Samuel Nikaj ka marrë detyrën si trajner te kjo skuadër. Me emërimin e tij si trajner te liqenorët dhe me startin e sezonit të ri në Kategorinë e Dytë, duket se gjërat kanë rënë në “binarët” e duhur, pasi tekniku shkodran ka vendosur dorën e tij mbi ekipin dhe rezultatet flasin më së miri.

Gjashtë fitore në shtatë ndeshje, prej tyre pesë fitore rradhazi, ku spikat fitorja në debutim përballë Devollit në derbi 2-1, janë shifrat magjike që ka arritur trajneri shkodran me të marrë drejtimin e Pogradecit.

16-gola të shënuar dhe vetëm katër të pësuar janë shifra që do t’i kishte lakmi çdo trajner tjetër, për më tepër që ka grumbulluar 19-pikë dhe nëse kampionati do të mbyllej tani, atëherë Pogradeci do të ngjitej në Kategorinë e Parë, si kryesuese e renditjes. Edhe këtë fundjavë, liqenorët e trajnerit Samuel Nikaj morën një fitore të merituar në Patos ndaj Albpetrol 0-2, madje duke qenë edhe me 10-futbollistë.

I thjesht dhe modest, Nikaj padyshim që mbetet një ndër trajnerët shkodranë më të mirë dhe më të suksesshëm. Realisht, edhe mënyra se si është ndërtuar Pogradeci i këtij sezoni tregon se objektivat janë shumë serioze dhe ngjitja një kategori më lart është një detyrë për trajnerin shkodran.

Ky do të ishte ekipi i katërt me të njëjtin sukses nën drejtimin e Samuel Nikajt pas Flamurtarit të Prishtinës, Kastriotit të Krujës dhe Vushtrisë.
Maringlen ZHIVANI