Rivalitet në fushë, rivalitet dhe në studio. Veleçiku dhe Murlani janë vetëm një pikë larg njëri- tjetrit në renditjen e grupit A të kategorisë së dytë dhe pretendojnë të dy ngjitjen një kategori më lart në fund të sezonit.
Në emisionin “Sport Arena” në TV Rozafa mbrëmjen e së hënës kanë qenë të ftuar dy pjestarë të këtyre dy ekipeve, trajneri i koplikasve Haris Lika dhe portieri i Murlanit Erind Selimaj.
Por diskutimi në lidhje me përballjen e fazës së parë në mes këtyre dy ekipeve në Koplik e fituar 2-1 nga Veleçiku, është kundërshtuar në njëfarë mënyrë nga portieri i Murlanit dhe kjo më pas ka bërë që polemikat të vijojnë më tej edhe për çështje të tjera të funksionimit të dy ekipeve.
Më poshtë “Shkodra Sport” ju jep mundësinë të ndiqni një pjesë të polemikave në mes Haris Likës dhe Erind Selimajt:
Selimaj: Në ndeshjen e fazës së parë, Veleçiku vërtetë na mundi, por goli i parë ka qenë ofsajt shumë i dukshëm.
Lika: Nuk e di ku e keni parë ofsajtin sepse me përjashtimin tënd që ke ngritur dorën lart, asnjë pjestar tjetër i Murlanit nuk reagoi. Madje as pas ndeshjes, nuk keni bërë asnjë reklamim apo reagim në media për këtë gjë.
Selimaj: Ne e ngremë zërin atje ku duhet ta ngremë, i bëjmë gjërat me qetësi, por ju duhet ta pranoni se na keni mundur me hile.
Lika: Nuk ka qenë aspak hile. Ka qenë një ndeshje shumë e qetë dhe e tillë shpresojmë të jetë edhe ajo e kthimit që do të luhet në Barbullush.
Selimaj: Dua të them se Murlani ka organizimin më të mirë ndër të gjithë ekipet e kategorisë së dytë dhe pse jo edhe të shumë ekipeve të kategoris së parë. Unë kam një eksperiencë të madhe sepse kam luajtur në disa ekipe dhe organizim të tillë si ky tek Murlani nuk kam parë.
Lika: Erindi gabon sepse ai ka të drejtë të flasë për atë se çfarë ndodhë tek ekipi i tij, por nuk mund të flasë për ekipet e tjera, kur nuk e di se si funksinojnë dhe çfarë organizimi kanë. Kam respekt për atë që keni bërë ju, por po të shihni më sipër do të shikoni se ka ekipe që funksionojnë edhe më mirë, që kanë garanci më të madhe financiare dhe çdo gjë më mirë.
Selimaj: Jemi vetëm në vitin e dytë të krijimit dhe kemi ecur kaq shumë, llogarit se çfarë do të bëjmë pas disa vitesh.
Lika: Ju përgëzoj për atë se çfarë keni bërë për një periudhë kaq të shkurtër, por nuk mund të thuash kemi organizimin më të mirë.
Selimaj: Ky është fakt.
Lika: Fakt e thua ti por nuk ke dalë për të bërë një sondazh apo verifikim se çfarë bëjnë ekipet e tjera.
Selimaj: Unë kam shëtitur nëpër shumë ekipe të Shqipërisë dhe e di si funksionojnë.
Lika: Unë e di që kemi garanci financiare më të madhe dhe çdo gjë funksionon ashtu si duhet.
Selimaj: Do të thuash se ju i keni rrogat më të mëdha se ne? As këtë nuk e din. Ju siguroj që tek Murlani presidenti na ka ofruar një korrektesë maksimale në këtë drejtim. Më datë 1 merren rrogat, kuptohet aq sa ke rënë dakord, por një korrektesë e tillë nuk ndodh në shumë prej ekipeve.
Lika: Ju siguroj që ana financiare tek Veleçiku ka qenë shumë më e mirë. Jo më kot pjesë e tij janë edhe lojtarë të Superligës sot dhe gjatë janarit mund të vijë edhe ndonjë tjetër.
Selimaj: Megjithatë, e përsëris për të disatën herë se ne jemi më të organizuar se ju. Unë e di se çfarë bëni ju në ekipin tuaj dhe si funksiononi. E kam informacionin e duhur dhe përpos kësaj edhe shtëpinë e kam shumë afër Koplikut.
Lika: Nëse merremi me fjalë klubesh, edhe mua më thonë se tek Murlani vijnë 5 vetë në stërvitje paradite sepse pasdite janë në stërvitje ekipet e fëmijëve dhe ekipi i parë nuk ka vend për t’u stërvitur. Dhe si rrjedhojë, paradite del në stërvitje vetëm 1 lojtar që është pjesë e formacionit dhe pjesa tjetër nuk del në stërvitje hiç./SHKODRA-SPORT.COM/