Policia e Rrogozhinës ka dhënë informacion në lidhje me ngjarjen e ndodhur pas përfundimit të ndeshjes së kampionatit shqiptar mes Bylisit dhe Tiranës, përfunduar me rezultatin 2-2.

Pushtimi i fushës nga tifozët bardheblu është shoqëruar me incidente, ku është tentuar të goditet edhe gjyqtari kryesor Kridens Meta. Për këtë, në njoftimin e policisë bëhet me dije se janë shoqëruar disa tifozë për t’iu dorëzuar organeve ligjzbatuese për procedura të mëtejshme.

NJOFTIMI I POLICISË SË RROGOZHINËS:

Rrogozhinë/Informacion paraprak

Më datë 25.05.2023, në përfundim të ndeshjes Bylisi-Tirana, në Rogozhinë, disa tifozë të Tiranës kanë hyrë në fushë dhe kanë tentuar të dhunojnë gjyqtarët e ndeshjes. Shërbimet e Policisë kanë reaguar menjëherë duke shoqëruar këta shtetas, për të cilët po kryhen veprimet e mëtejshme procedurale.