Pogradeci arriti të triumfojë para pak ditësh me rezultatin 1-0 ndaj Labërisë dhe tashmë do të luajë ditën e nesërme me vendin e 10-të të Kategorisë së Parë, pikërisht ndaj Burrelit, në finalen për ngjitjen ose qëndrimin e njërit prej këtyre dy ekipeve. Kështu, në prag të kësaj ndeshjeje, Samuel Nikaj, trajneri i Pogradecit, i ka bërë një analizë situatës aktuale të liqenorëve.

Në një intervistë për gazetën “Shkodra Sport”, specialisti që ngjit skuadrat në elitë deklaron se nuk ka ndërmend që ai dhe ekipi i tij ta zhgënjejnë publikun pogradecar në këtë ndeshje të fundit që përcakton ngjitjen në Kategorinë e Parë. Poashtu, Nikaj u shpreh se Pogradeci ka bërë një punë të mirë gjatë gjithë këtij sezoni, ndërsa theksoi faktin se ndaj Burrelit pret një ndeshje perfekte nga ana e futbollistëve të tij.

Në disa sezone të ndryshme, Nikaj arriti të ngjiste në elitë tri skuadra. Kështu, fillimisht ngjiti Flamurtarin e Prishtinës. Më pas, Kastriotin e Krujës dhe Vushtrinë në Superligën e Kosovës.

Tashmë, trajneri shkodran një sukses të tillë po kërkon ta përsërisë sërish edhe me Pogradecin për ta ngjitur këtë ekip nga Kategoria e Dytë në Kategorinë e Parë. Megjithatë, më poshtë mund të lexoni prononcimin e trajnerit shkodran të Pogradecit, Samuel Nikaj, për gazetarin e “Shkodra Sport”, Maringlen Zhivani.


-Nikaj, një hap larg Kategorisë së Parë me ekipin e Pogradecit, çfarë ndodh me këtë ekip dhe si është situata aktuale aty?

Kemi bërë punë të mirë gjatë gjithë sezonit. Publiku na ka përkrahur dhe kanë mbetur të kënaqur nga përformanca jonë. Shpresoj që edhe këtë ndeshje të fundit ndaj Burrelit mos t’i zhgënjejmë.


-Çfarë prisni ndaj Burrelit, si e shikoni?

Në fakt ndaj Burrelit pres ndeshjen perfekte, pasi edhe ndeshjen e fundit ndaj Labërisë kemi pasur gabime të vogla, kryesisht në aspektin individual. Jam i mendimit se duhet përqëndrim më i madh në këtë ndeshje ndaj Burrelit.


-Mendoni se mund t’ia dilni të triumfoni edhe në ndeshjen e fundit ndaj Burrelit, e cila është përcaktuese për ngjitjen në Kategorinë e Parë?

Unë jam optimist që mund t’ia dalim të triumfojmë. Megjithatë, pavarësisht kësaj, unë mendoj që shanset janë 50-50. Fusha e blertë e lojës do ta tregojë një gjë të tillë. Le të presim dhe të shohim.


-Mos ndoshta i druheni paksa edhe gjykimit në këtë ndeshje?

Këtë vit mendoj që gjykimi në të tre Kategoritë ka qenë në nivel të kënaqshëm. Unë besoj që në këto lloj ndeshjesh, do kemi arbitra të Superiores dhe nuk do të ketë probleme.

-Nikaj, në rast se do arrini ta ngjisni edhe Pogradecin, do të jetë një tjetër sukses i juaji në Shqipëri dhe në Kosovë, cili është çelësi i këtij suksesi që ju e keni arritur shpesh herë deri më tani?

Realisht, në nëntë sezonet e fundit kam dalë dy herë në vend të tretë, katër herë në vend të dytë dhe tre herë në vend të parë. Unë mendoj që çelësi i suksesit ka qenë që skuadrat që kam drejtuar më kanë ndjekur me përpikmëri dhe kanë patur besim në aftësitë e mia. Në çdo skuadër që kam drejtuar, grupi ka qenë shumë i bashkuar dhe natyrisht, bashkimi bën fuqinë.

-E fundit Nikaj për ta mbyllur, si në rastin e ngjitjes, si në rastin e mosngjitjes, si e shikoni të ardhmen e kësaj skuadre dhe ku mund ta shohim trajnerin Nikaj sezonin e ardhshëm? Mund të jeni sërish në Pogradec?

Për momentin, po mendoj ndeshjen finale ndaj Burrelit dhe nuk më intereson e ardhmja, ama një gjë e di me siguri. Ky vit ka qenë special për mua. Ky grup futbollistësh më ka bërë 50% trajner më të mirë se sa isha.

-Faleminderit profesor Nikaj dhe të urojmë suksese në ndeshjen e nesërme ndaj Burrelit!

Faleminderit edhe ju Maringlen!
Maringlen ZHIVANI