Thursday, August 6, 2026
FAQJA E PARE FUTBOLLKATEGORIA SUPERIOREVllaznia ruan 'traditën', vetëm 7 të huaj pjesë e kuqebluve

Vllaznia ruan ‘traditën’, vetëm 7 të huaj pjesë e kuqebluve

Shkruar nga Endri ÇINARI

Vllaznia duket se do ta nisë sezonin 2026/27 me një filozofi të qartë edhe sa i përket përbërjes së skuadrës. Ndryshe nga shumë klube të Superiores që kanë zgjedhur të mbështeten te një numër i madh futbollistësh të huaj, kuqeblutë kanë preferuar edhe këtë verë të ruajnë ekuilibrin, duke u fokusuar kryesisht te lojtarët vendas dhe shqiptarët nga Kosova e Maqedonia e Veriut.

Aktualisht, në organikën e ekipit numërohen vetëm shtatë futbollistë të huaj. Reparti më i “ndërkombëtarizuar” mbetet mbrojtja, ku trajneri Edi Martini ka në dispozicion katër lojtarë nga katër shtete të ndryshme. Bëhet fjalë për boshnjakun Çelikoviç, kroatin Brajkoviç, ganezin Dumfur dhe haitianin Francois Dulysse, i cili pritet të jetë një nga afrimet që do të shtojë konkurrencën në prapavijë.

Edhe mesfusha ka dy futbollistë të huaj, me boshnjakun Kobiljar dhe moldavin Dros që pritet të kenë një rol të rëndësishëm në ndërtimin e lojës. Të dy njihen për eksperiencën e tyre dhe cilësitë teknike, ndërsa stafi teknik shpreson që të jenë pikë referimi në repartin qendror gjatë gjithë sezonit.

Në repartin ofensiv, i vetmi futbollist i huaj është venezueliani Perez. Sulmuesi do të ketë përgjegjësi të mëdha në sezonin e ri, teksa pritet të jetë një nga armët kryesore të Vllaznisë në fazën sulmuese. Ai do të synojë të justifikojë besimin e klubit dhe të japë kontributin e tij me gola e paraqitje bindëse.

Fakti që Vllaznia ka vetëm shtatë futbollistë të huaj tregon qartë strategjinë e ndjekur nga drejtuesit. Në vend që të mbushin organikën me lojtarë nga jashtë, shkodranët kanë preferuar të ndërtojnë një grup me bazë shqiptare, duke u mbështetur te futbollistët vendas, por edhe te elementët cilësorë nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut.

Kjo është një filozofi që klubi e ka ndjekur edhe në sezonet e fundit dhe që synon të krijojë një skuadër më të konsoliduar, me lojtarë që njohin më mirë kampionatin shqiptar dhe ambientin ku do të garojnë. Mbetet të shihet nëse kjo formulë do t’i japë Vllaznisë rezultatet e dëshiruara në sezonin 2026/27, ku objektivi kryesor do të jetë rikthimi te sukseset.

Burimi: Gazeta “SHKODRA SPORT”

RELATED ARTICLES
- Advertisment -

Most Popular

Recent Comments