Paraqitja e mirë në finalet e Kampionatit Europian duke ndihmuar Italinë të shpallej nënkampione e kontinentit, kanë bërë që drejtuesit e klubit Bolonja ta shohin me shumë prioritet të ardhmen e tij.

E kemi fjalën për portierin me origjinë nga Shkodra, Marco Molla. Pikërisht për këtë arsye, lojtari që pak ditë më parë mbushi 17 vjeç, nga dita e sotme ka bërë edhe një tjetër hap të rëndësishëm në karrierën e tij.

Ka firmosur kontratën e parë të tij si futbollist profesionist dhe këtë e ka bërë për ekipin e Bolonjës. Drejtuesit e kësaj të fundit nuk kanë dashur ta lëshojnë portierin me shumë të ardhme, ndonëse ai kishte edhe oferta të tjera nga Italia dhe madje edhe nga Anglia.

Por Bolonja i ka besuar që në fillim dhe dëshiron ta ketë për gjatë shumë kohe në rradhët e saj dhe prandaj sot i ka ofruar kontratën. Molla si rrjedhojë ka hedhur edhe firmë në të, në prani të drejtorit sportiv të klubit Riccardo Bigon.

Familjarët e portierit kanë bërë të ditur se kontrata është trevjeçare dhe Marco do të luajë me ekipin U19 të këtij klubi ndërkohë që do të stërvitet me ekipin e parë. Ai konsiderohet me shumë të ardhme dhe tashmë përveçse me Bolonjën, po bëhet gati për Kampionatin Botëror U17 ku me Italinë do të synojë të bëjë sërish paraqitje të mira.
© shkodrasport.com