Vllaznia do të jetë me disa mungesa në përballjen me Skënderbeun në fundjavë, teksa ndeshja e fundit në shtëpi ndaj Partizanit, duket se i ka lënë me pasoja shkodranët, që duhet të bëjnë pa disa titullarë në sfidën me korçarët.

Dy nga katër kartonët e verdhë që u morën në përballjen me Partizanin, ishin të lojtarëve që rrezikonin dhe pasi mbushën numrin katër të tyre, janë të detyruar të bëjnë një javë stop. Kështu, Ardit Krymi dhe Fahrudin Gjurgjeviç nuk do të jenë të gatshëm për trajnerin Plori në ndeshjen e rradhës ndaj Skënderbeut.

Edhe pse futbollistët e kishin të qartë që rrezikonin me një të verdhë, sërish nuk janë ruajtur dot, duke bërë që trajneri shkodran Plori të fillojë të mendojë seriozisht për zëvendësimin e tyre, për më tepër që bëhet fjalë për dy lojtarë që konsiderohen si titullarë.

Futbollisti tjetër që vazhdon të jetë në listën e mungesave, pas atyre të Krymit dhe Gjurgjeviç, është sulmuesi Da Silva. Braziliani la lojën në mes në sfidën e kthimit në stadiumin “Loro Boriçi” me Partizanin për Kupë dhe që atëherë sulmuesi brazilian, nuk ka qenë i gatshëm për ekipin e tij.

Nga sa mësohet nga “Shkodra Sport”, bëhet fjalë për një dëmtim të mëparshëm që ai ka pasur, teksa i sigurt është fakti që nuk do të jetë me korçarët këtë javë.

Me pak fjalë, në një ndeshje të vetme, Vllaznia privohet nga tre futbollistë për sfidën pasardhëse, me Partizanin, që përveçse i mohoi fitoren në shtëpi, i la pasoja të rënda edhe për kampionatin.
Maringlen ZHIVANI