Visar Bekaj ka qenë një nga më të mirët në fushën e lojës. Me pritjet e tij ka ndalur kundërshtarët. Në një intervistë për “Panorama Sport”, portieri i Tiranës foli për sfi-dën me Vllazninë, qëllimin për të qenë kampionë të Shqipërisë si dhe grumbullimin me kombëtaren e Kosovës.

Visar ishit ndoshta më i miri në fushën e lojës. Nuk latë skuadrën kundërshtare të shënojë?

Merita është e gjithë skuadrës në fazën e mbrojtjes. Mbrojtja nis që nga sulmi. Gjithsesi, po shpresoja të fitonim. Patëm rastet tona, por nuk i materializuam siç duhet. Besoj se kjo lojë do të na shërbejë të mësojmë nga gabimet tona. Kemi shumë për të përmirësuar, por besoj se këto javë do të na bëjnë shumë mirë për të korrigjuar gabimet që kemi dhe të rinisim kampionatin ndryshe.


Meqë dolët te rinisja pas Botërorit. Përballë do të keni sërish Vllazninë, por në Superkupë. Prisni një ndeshje ndryshe?

Normalisht që po. Besoj se do të luhet në “Air Albania” në një fushë më të mirë dhe do të jetë tjetër histori. Është finalja e Superkupës. Çdo trofe është me vlerë për çdo lojtar dhe shpresoj që të gjithë do të japin maksimumin. Do ta kërkojnë ta fitojnë, si ne edhe Vllaznia. Dua që të luajmë një ndeshje të mirë, pa probleme dhe incidente.


Ama sot patët goxha punë me sulmuesit e Vllaznisë. Si ia dilni të koordinoheni me shokët?

Unë i kushtoj shumë vëmendje vendosjes dhe komunikimit. Nëse ia del, edhe reagimet e tjera janë më të lehta. Ky është qëllimi im. Si fillim të pozicionohem mirë, më pas hedhjet e daljet janë dytësore.


Jeni grumbulluar me Kosovën. Do të luani një takim titullar?

Shpresoj që po. Kam kohë që e pres të jem titullar dhe mund të jem. Shpresoj që të bëj më të mirën, dhe pse jo, të jem titullar në të dyja takimet.

Tirana do të jetë kampione në fund të sezonit?

Të them që objektivi i Tiranës është ndeshja e radhës nuk shkon. Tirana është për kampione dhe nuk kam çfarë të shtoj më shumë. Duam titullin, por ne duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë dhe jo të fluturojmë. Nëse të gjithë japin maksimumin e ndihmon shumë ekipin.