Ditën e sotme, Besëlidhja do të përballet me Tërbunin dhe të dy ekipet kanë si synim vetëm tre pikët. Në këtë ndeshje, ekipi lezhjan vjen pas dy humbjeve rradhazi, teksa ata momentalisht renditen në vendin e shtatë në tabelën e klasifikimit me katër pikë.

Ndërkohë, trajneri i Besëlidhjes, Alban Bruka, në një intervistë për “Shkodra Sport”, ka folur në prag të ndeshjes së kësaj jave që ata do të kenë. Tekniku lezhjan ka folur në lidhje me ekipin e tij dhe atë që lezhjanët po kalojnë aktualisht, teksa tha se objektivi i Besëlidhjes është renditja në gjashtë vendet e para.

Po ashtu, Bruka u shpreh se ndeshja ndaj Tërbunit është vlerësuar në maksimum, pasi do jetë një ndeshje e luftuar, ndërsa theksoi se e njohin mirë ekipin pukjan.

“Në fakt, është një ndeshje që e kemi vlerësuar maksimalisht. Do jetë një ndeshje shumë e luftuar nga të dyja skuadrat, sepse është një ndeshje derbi, por kemi punuar gjatë gjithë javës për të marrë pikët maksimale, duke vlerësuar Tërbunin dhe duke e njohur mirë atë.

Normalisht, ne nuk na lejohet asnjë hap fals, sidomos në fushën tonë dhe para tifozërisë tonë, që iu garantoj se do të ndiqet nga një numër i madh tifozësh.Në fakt, pavarësisht humbjeve që kemi pësuar këto dy ndeshjet e fundit, ekipi ka prodhuar një lojë të kënaqshme, por për fat të keq tonin, nuk i përkasin pikët lojës tonë. Kemi punuar shumë aty ku kemi çaluar këtë javë për t’u rikthyer te fitorja.

Mungesat? Jaku dhe Danaj kanë nga një dëmtim që na prishin punë në ndeshjen e ditës së sotme, por kemi përgatitur futbollistë që na kanë bindur për zëvendësimin e tyre.

Synimet e Besëlidhjes në këtë sezon? Objektivi i Besëlidhjes është renditja në gjashtë vendet e para”,-mbylli prononcimin e tij për “Shkodra Sport”, trajneri i Besëlidhjes, Alban Bruka.
Maringlen ZHIVANI