Miqësorja me Armeninë ishte një tablo tjetër sa i përket asaj të luajtur pak ditë më parë me Italinë. Edhe pse ditën e shtunë dhe në një orar të favorshëm interesi nga tifozët ishte u ulët, teksa rreth 3 mijë e 500 tifozë ishin të pranishëm.

Një incident joserioz u regjistrua që në nxehje, teksa kuqezinjtë po provonin goditje drejt portës, një “predhë” e Muçit shkon mbi portë dhe godet një tifoz në fytyrë, i cili mban kokën lart për disa minuta nga gjaku që i rridhte nga hundët. Sfida e Shqipërisë me Armeninë kishte edhe momentet e saj më pikante që “Panorama Sport” i sjell për lexuesit e saj.

* Kur lojtarët po kryenin nxehjen në fushë, shihet në tribunën kryesore një tifoz i çmendur i Partizanit, i cili bërtiste me të madhe: “O Skuka, o ylli i Kombëtares”.

* Ardian Ismajli nuk ishte zhveshur fare në këtë ndeshje, kjo si pasojë e ngarkesës që mori në miqësoren me Italinë. Por gjithsesi mbrojtësi qëndroi në mbështetje të shokëve të ekipit.

* Shqipëria luajti këtë takim me uniformën ngjyrë gri të errët, me të cilët luajti edhe në miqësoren me Arabinë Saudite, por edhe me Gjeorgjinë në Tiranë në muajin mars.

* Kristjan Asllani mezi priste që të shënonte golin e parë me fanellën e Kombëtares. Në momentin kur Skuka u rrëzua në zonë dhe gjyqtari po shikonte në VAR për penallti, mesfushori vrapon dhe merr topin për ta ekzekutuar, teksa aty një bisedë e sipër me Lenjanin, i cili ia kërkon, por kur e pa që Asllani ishte disi euforik, u dorëzua. Zhgënjimi ishte prezent kur kryesori maqedonas nuk jep penallti.

E njëjta situatë edhe në pjesën e dytë, kur sapo Cara rrëzohet në zonë, Asllani vrapon dhe merr topin për të goditur penalltinë.

* Në një moment Bare i thotë portierit të ndërrojë topin, pasi ai që po luhej ishte pak i shfryrë.

* Xhuliano Skuka shtrihet në tokë dhe duket se kërkon zëvendësim, por pas dy minutash ngrihet sërish dhe vrapon te një top. Por në vazhdim ulet sërish dhe Reja aktivizon Muçollin. Kur po dilte, italiani e thërret dhe e pyet se në ç’vend u lëndua dhe kur? Sulmuesi ia bën me shenjë te gjuri.

* Muçolli thirret dy herë për t’u bërë gati për të hyrë në fushë, por në të dyja rastet kthehet mbrapsht. Hera e tretë ishte finalja dhe anësori hyn në vendin e Skukës. Në fillim mërzitet pak, por më pas e merr me sportivitet.