Dinamo u rikthye matematikisht në elitë. Krahasuar me dy vjet më parë, këtë herë vjen shumë më ndryshe. Tashmë nuk i duhet ta fillojë çdo gjë nga zeroja. Blutë kanë marrë disa leksione sportive dhe organizative. Jo vetëm kanë hedhur disa baza për skuadrën e Superiores, por mbi të gjitha kanë shtëpinë e tyre të re.

Presidenti Adrian Bardhi është sigurisht entuziast për ngjitjen e shpejtë, por nuk i ka harruar ende vështirësitë që ka kaluar. Në një rrëfim për për “Panorama Sport”, ai flet për shenjat që la e shkuara dhe atë çfarë synon të bëjë në vazhdim me 18 herë kampionët e vendit. Ai pranon gjithashtu se pjesa më e sikletshme nis tani, pasi “nëndetësja” ka dalë në “det të hapur”.


Z.Bardhi, Dinamo rikthehet në Superiore pas një kampionati jo pak të vështirë. Si ndiheni tani?

Patjetër që jam i kënaqur për rikthimin e shpejtë në Superiore. Ramë një vit më parë, ja ku jemi sërish në elitën e futbollit shqiptar. Të jem i sinqertë, e kisha shumë të vështirë ta pranoja rënien e Dinamos në Kategorinë e Parë. Nuk e përtypja dot, por tani e rëndësishme është që jemi përsëri këtu. Ka qenë një garë shumë e vështirë, më e vështirë nga sa mund të pritej.


Ku qëndronin konkretisht këto vështirësi?

Vështirësitë ishin në garë, në çdo ndeshje. Kategoria e Parë ka specifikën e saj, por mbi të gjitha ka shumë rivalitet. Nuk është fare e thjeshtë, edhe pse mund të investosh. Ky kampionat ka klube lidere, ka skuadra që kanë bërë emër në futbollin shqiptar. Përveç Dinamos dhe Skënderbeut, që u kthyen në elitë, ishin edhe Flamurtari, Besa, Apolonia, Tomori e me radhë. Janë të gjitha skuadra që ta bëjnë objektivin shumë të vështirë. Patëm disa momente të vështira, por ndërhymë në kohën e duhur dhe po ashtu patëm edhe fat që arritëm të kthehemi në Superiore dy javë para mbylljes së kampionatit. Jemi ende në garë për titullin kampion.


Çfarë keni parasysh me “ndërhyrje në kohën e duhur”?

Po, dua të them se ndërhymë në një moment, që Dinamo kishte filluar të rrëshqiste. Dhe ky moment ishte pas ndeshjes me Tomorin, ku ne u mundëm në fushën tonë dhe e komplikuam situatën. Në atë moment ndërhymë, edhe unë personalisht kam qenë më afër skuadrës gjatë kësaj kohe.