Presidenti i Egnatias, Agim Demrozi, tregohet shumë i vëmendshëm për zhvillimet në skuadrën e Egnatian dhe që nga dita e parë ka udhëtuar me skuadrën në Turqi për fazën përgatitore.

Përveçse mbi ndeshjen miqësore, Demrozi ka folur edhe në lidhje me merkaton, ku përgënjeshtron disa thashetheme të ditëve të fundit në lidhje me afrimet në merkato.

“Në këtë merkato vere asnjë futbollist tjetër, përveç Celinës, Aleksit dhe Jankut, nuk është bashkuar deri më tani në fazën përgatitore që po kryejmë në Turqi. Siç e dinë të gjithë, i kam prezantuar vetë të gjithë futbollistët, që mbajnë veshur gjer më sot fanellën e Egnatias.

Prandaj në këto momente, kur skuadra është e përqendruar e gjitha në punë, në vigjilje të ndeshjeve në Ligën e Konferencës ndaj Ararat, habitem me disa lajme aspak të vërteta që te Egnatia ka ardhur ky apo ai lojtar.

Megjithatë për disa ‘të padurueshëm’, shprehja ime ka qenë e qartë që nga dita kur jam vënë në krye të Egnatias se: ‘Nuk keni parë gjë akoma’”, shprehet Demrozi për gazetën.