Futbolli shqiptar vazhdon të jetë e pezulluar dhe ende nuk ka një datë për rifillim e saj, për shkak të ndalesës që u bë nga përhapja e Koronavirusit.

Në një prononcim të dhënë së fundmi, presidenti i FSHF-së, Armand Duka është shprehur se Shqiëpria është një nga vendet që duhet ta rinisë sa më shpejt futbollin. Gjithashtu ai u shpreh se do të ndiqet si shembull Gjermania dhe rregullat e vendosura nga ky shtet, teksa ka treguar se Tirana ka probleme me tatimet dhe taksat.

“Kemi përgatitur një protokoll dhe shpresojmë që në fund të majit të rifillojmë. Dukë parë që e gjithë Europa po e rifillon futbollin, pse të mos e bëjmë edhe ne. Sigurisht duke pasur kujdes dhe duke krijuar një protokoll për të qenë të sigurt pas rikthimit. Ne kemi parë protokollin që ka bërë Gjermania. Dushet futbollistët t’i bëjnë në shtëpi dhe jo në stadium. Në stadium të mos ketë më shumë se 100 persona. Pak a shumë këto janë disa nga kushtet që duhen respektuar për tu mbrojtur nga virusi.

Unë nuk mendoj që Shqipëria është një nga vendet që duhet të pezullojë kampionatin, duke parë edhe statistikat. Perqindja e të prekurve dhe viktimave është një nga më të ulëtat në Europë. Ne duhet të jemi një nga vendet e para që duhet të rikthejmë futbollin. Ne jemi një vend i varfër dhe duhet të punojmë sa më shumë, nuk mund t’i mbyllim njerëzit brenda. Duhet të rikthehemi në jetën e përditshme. UEFA ka marrë një vendim se fundmi dhe vendet si Shqipëria, në Kupat e Europës do marrin pjesë 4 ekipe. Rënia nga kategoria do bëhet sipas klasifikimit.

Paketë e dytë e ndihmës? Ne kemi paguar 95% të pagave të muajit të kaluar dhe sapo të përfundojmë, do të nisim të japim edhe pagën e dytë.

Licencimi? Deri në fundin e prillit klubet duhet të dorëzonin dokumentet për taksat dhe tatimin. Tirana mesa di unë ka pasur probleme, por ka pasur një marrëveshje me drejtorinë e tatimeve për t’i shlyer në kohë detyrimet e saj dhe në dijeninë time i ka shlyer. Kriteret e licencimit për sezonin e ardhshëm do të jenë më të rrepta.

Tifozët? Është e drejtë që futbollistët impenjohen më shumë kur ka tifozë. Unë uroj që sa më shpejt të kemi stadiume me tifozë. Por nuk është diçka që mund të parashikohet nga unë. Uroj që edhe ne të kthehemi sa më shpejt dhe të luajmë me tifozë.”, u shpreh Duka për “Rtsh Sport”.