Në verën e shkuar, Komiteti Ekzekutiv i FSHF miratoi strukturat dhe skemat për Kategorinë Superiore, Kategorinë e Parë dhe Kategorinë e Dytë nga sezoni ardhshëm deri në sezonin 2022-2023. Nga sezoni 2019-2020 nga Kategoria Superiore do të zbresin direkt dy skuadra (vendi i 9 e 10) dhe vendi 8-të do të luajë një play-out me fituesen e play-offit të Kategorisë së Parë.

Play-offi i Kategorisë së Parë është produkt i vëndeve të dyta të Grupeve A dhe B në këtë kategori, të cilat do të luajë një ndeshje finale ndërmjet tyre për të shpallur fituesen që do të luajë me vendin e 8-të të Kategorisë Superiore. Kjo ndeshje do të luhet në stadiumin e skuadrës që është renditur në vendin e tetë të Kategorisë Superiore.

Skemat e fundsezonit

Kategoria e Parë në sezonin 2019-2020 ka strukturën me 20 skuadra. Dy grupe A dhe B me 10 skuadra dhe luhen 2 faza të rregullta me 18 ndeshje. Në fazën e tretë play-off për tu ngjitur në Kategorinë Superiore luajnë skuadrat e renditura nga vendi i 1 (parë) deri në vendin e 4 (katërt). Ndeshjet luhen me sistem vajtje-ardhje. Pikët e grumbulluar në dy fazat e para do të llogariten të plota në këtë fazë. Skuadrat që renditen të para ne grupet A dhe B ngjiten direkt në Superiore.

Skudrat e renditura në vendin e 2 (dytë) në Grupet A dhe B do të luajnë ndeshje finale me një takim për të përcakutar skuadrën e cila do të luajë ndeshje play-off me një takim me skuadrën e renditur ne vendin e (8) tetë të Kategorise Superiore. Faza e tretë play-out që do të përcaktojë skuadrat që do të zbresin në Kategorinë e Dytë. Në këtë fazë luajne skuadrat e renditura nga vendi i 5( pestë) deri në vendin e 10 (dhjetë).

Ndeshjet luhen me sistem vajtje-ardhje. Pikët e grumbulluara në dy fazat e para do të llogariten të plota në këtë fazë. Vendi i 9 (nëntë) dhe vendi i 10 (dhjetë) i grupeve A dhe B zbresin menjëherë në Kategorinë e Dytë. Vendi i 8 tetë i grupit A do të luajë ndeshje play-off me vendin e dytë të Kategorisë së Dytë, Grupi B. Vendi i 8 (tetë) i grupit B do të luajë ndeshje play-off me vendin e dytë të Kategorisë së Dytë, Grupi A.

Kush janë ekipet

Vllaznia, skuadra e tetë aktualisht në Supeiore, ndërsa Besëlidhja në Grupin A të Kategorisë së Parë si dhe Apolonia në Grupin B të Kategorisë së Dytë. Lezhjanët dhe fierakët duhet që të luajnë ndeshje mes tyre për të nxjerrë finalisten që do të luajë me shkodranët për elitën në stadiumin “Loro Boriçi”.

Në ekipet që aktualisht luajnë ndeshje shtesë për të mbijetuar në kategorinë e Parë, Tërbuni në Grupin A të Kategorisë së Parë, si dhe Shënkolli në Grupin B të Kategorisë së Parë.

Kështu për të mbijetuar, Tërbuni duhet që të luajë me skuadrën e vendit të dytë në Grupin B të Kategorisë së Dytë, që aktualisht është Maliqi. Ndërsa Shënkolli duhet që të përballet me vendin e dytë të Grupit A të Kategorisë së Dytë që është Luzi 2008. Këto ndeshje luhen në stadiume që i përcakton FSHF-ja, duke respektuar si parim largësinë gjeografike.

Gjithsesi, tashmë mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë me këtë sezon dhe si organe kompetente janë Qeveria shqiptare si dhe FSHF-ja…

Sa i përket skuadrave që ngjiten nga Kategoria e Tretë, FSHF-ja ka vendosur në bazë të renditjes, por edhe sipas ekipeve që plotësojnë kushtet për të licencuar, sidomos ato që plotësojnë kriterin infrastruktutor që është parësori, por edhe atë financiar për të përballuar sezonin, sepse ka pasur ekipe në vitet paraardhësee që janë ngjitur nga e Treta në të Dytën, por para hedhjes së kalendarit janë tërhequr, sepse nuk kanë përballuar dot shpenzimet e sezonit.
/Vipsport/