”Unë po e filloj sot sikur jam president në vitin 2002- 2003. Dhe do t’i sfidoj të gjithë, pasi ky klub dhe kjo stemë nuk do të vdesin kurrë. Ta keni të qartë”. Këto janë fjalët e ndjera të Arben Lazes, në prezantimin që i bëri stafit teknik në ambientet e stadiumit “Elbasan Arena”.

Presidenti ka premtuar rikthimin e këtij klubi në nivelet e dikurshme dhe nuk harroi të “shigjetonte” bashkinë që e la në “baltë”. “Bashkia në rast se donte të krijonte një klub të ri, duhet të gjente bashkëpunimin me klubin tonë, që ka edhe historinë, e cila fillon që në vitin 1913.

Mund të mos kenë respekt për atë kampionat që kemi fituar, por për këtë kupë të vitit 1975 (kupa ishte e pranishme fizikisht në konferencë), aty që kanë qenë burra. Mund t’i harrojnë të gjitha, por jo këtë kupë. Kemi mbi 11 vjet që bashkia nuk na ka ndihmuar për asgjë, ku asnjë pjesëtar i bashkisë nuk ka ardhur të shohë një herë derën e stadiumit dhe ekipin e tyre. Ata e gjetën sponsorin anglez për të shitur klubin dhe sërish ata na lanë në baltë.

Por, ne nuk do të dorëzohemi dhe do t’ia ngremë sërish emrin. Nuk e kam ngatërruar asnjëherë sportin me politikën, kemi nevojë për bashkim dhe jo për përçarje. Kjo punë po shkon drejt një përçarjeje të madhe midis ekipeve dhe futbollistëve. 10 vjet kemi qenë jetimë, pavarësisht sakrificave të trajnerëve dhe sportistëve, që u kam detyrime të mëdha dhe nuk di si t’ua shpreh mirënjohjen”, tha fillimisht kreu i klubit.

KËSHILLI – U ndal edhe të këshilli, ndërsa kujtoi mbledhjet e dështuara: “Këshilli Bashkiak i Elbasanit në tri herë që është mbledhur për futbollin në Elbasan, ka dështuar. Herën e parë që bleu aksionet e Gentian Çërragës që nuk e di përse i donte, herën e dytë me anglezët që nuk u morën vesh se kush ishin ata dhe e firmosa atë letër. Herën e tretë me krijimin e ekipit të ri AF Elbasani, i quaj sërish të dështuar”.

BUXHETI – Kreu i klubit evidenton se nuk kanë marrë asnjë qindarkë në këtë dekadë prej Bashkisë Elbasan. “Në rast se do ta llogarisnim me qytete të tjera që jepnin para për futbollin, ku do të ishim ne tani…? Sikur 200 milionë lekë të vjetër të llogarisim për 10 vjet që nuk na dhanë asgjë, i bie 2 miliardë lekë. Ku shkuan ata? Nëse kanë bërë ndonjë spital apo ua kanë dhuruar jetimëve, sinqerisht ia kam bërë hallall, por të lësh sportin në këtë gjendje, është një turp i madh për ata që e bënë. Edhe autobusin na e kanë dhënë pesë herë dhe kemi shkuar me naftën tonë”, theksoi ai.

STËRVITJA – Laze është i vendosur, Elbasani do të stërvitet në fushën e qytetit. E megjithatë, nuk e përjashton mundësinë që t’i përzënë. “Sa i përket stërvitjes ne do të shkojmë ta bëjmë te kompleksi ‘Shefqet Lamçja’. Ata le të mos na pranojnë, ne atje do të shkojmë. Le ta bëjnë si puna e ‘Tomkës’ (filmi shqiptar “Tomka dhe shokët e tij”), kompleksi është i të gjithë sportistëve dhe i gjithë qytetit”, shtoi presidenti.

NDJESA – Bëri edhe një “mea culpa” përballë tifozëve për situatën në të cilën degradoi skuadra. “Tifozëve u kërkoj ndjesë që gjatë këtyre viteve nuk kemi arritur objektivat që kemi pasur, por nuk mund të jem fajtor vetëm unë. Unë jam bashkëfajtor me bashkinë dhe ata pak më shumë se unë. Duhet të gjenin mënyrën për të bashkëpunuar me ne dhe jo të katandiseshim kështu. Ata të mbajnë përgjegjësinë e tyre, unë timen. Tifozëve të Elbasanit u kërkoj ndjesë dhe u kam borxh një kupë që do t’ua sjell shumë shpejt”, përfundoi presidenti.