Bota e sportit dhe ajo e futbollit në veçanti është përfshirë nga një debat i madh nëse aktivitetet duhet të rifillojnë apo jo. Aktualisht, kampionati belg, holandez dhe ai francez kanë vendosur ta mbyllin sezonin për kushte sigurie, ndërsa në përpjekje të vazhdueshme për të rifilluar janë pjesa tjetër, mes tyre Anglia dhe Italia.

Secili vend është duke u munduar për të përcaktuar një protokoll sigurie në mënyrë që futbolli të marrë sërish jetë. Së fundmi, presidenti i Kristal Palas, Stiv Perish, në Premier League është shprehur pro rifillimit të kampionatit duke theksuar se ka parë protokollin dhe sipas tij më e sigurt është të luhet futboll se sa të shkosh në supermarket.

“Kam parë të gjithë propozimet në lidhje me stërvitjet dhe udhëtimet e skuadrave. Do të jetë një sfidë e madhe, por këto propozime ofrojnë një nivel të lartë mbrojtje për futbollistët, stafin dhe zyrtarët e ndeshjes.

Mendoj se këto rregulla do ta bëjnë Premier League një nga më të sigurtat në fazën e bashkëjetesës me virusin, ndoshta shumë më të sigurt se edhe një vizitë në supermarket”, u shpreh Perish. /VipSport/