Edvin Libohova ka folur për situatën në të cilën gjendet kampionati shqiptar, teksa sytë e të gjithëve janë nga Ministria e Shëndetësisë.

Është kjo e fundit ajo që do të japë ose jo dritën jeshile për të rinisur aktiviteti futbollistik në vend. Në një intervistë të gjatë për Fun Zone, zv. Presidenti i FSHF-së, njëkohësisht president i Ligës Profesioniste deklaroi:

“Sot ishte Asambleja e radhës. E rëndësishme është që në këto kushte, u zhvillua një asamble e zakonshme në kushte të jashtëzakonshme. Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm, po luftojmë që loja të kthehet në fushë. Në këto kushte është shumë e vështirë për të bërë më të mirën. Në takimin e ditës së shtunë, ishte një takim në nivel teknik, ku ne kishim përballë përfaqësuesit e Komitetit Teknik të Ekspertëve të Shëndetësisë. Qëllimi është që sa më shpejt ky Komitet të prononcohet sepse kampionati duhet të përfundojë deri me 3 gusht.

Protokolli? Aty s’u tha pranohet apo pranohet. Përderisa e kanë marrë në shqyrtim, sigurisht që është i pranuar. Por, duhet parë me kujdes për të mos qenë para një ngjarje të pakëndshme. Nesër është një takim tjetër dhe besoj se nesër do të kemi një hap pozitiv.

Tamponët? Kemi dy qasje për sa i përket problemit të lojtarëve. Ata na thanë që s’është e nevojshme për t’iu bërë lojtarëve tampone. Do ta shohim sipas rastit. Ne kemi një datë 18 që lojtarët do të mund të dalin në stërvitje. Por, ne kemi futbollistët që kanë 2 muaj duke u përgatitur në shtëpi. Gjithë synimi është se çdo ditë e fituar, do të na bënte mirë. Data 31 maj është skenari i fundit për të rinisur kampionati. Ndaj kemi ngulmuar që të dalim sa më parë për t’u stërvitur në mënyrë individuale.

Një lojtar pozitiv? Është një pyetje që duhet t’i përgjigjen teknikët. Kjo do të kërkojë masa. Unë s’mund të ta them dot sepse janë ata specialistët.

Andi Lila? Unë e lexova reagimin e Andit dhe komunikova me të e i premtova që do të ulemi së shpejti. I premtova që do të ulemi ditët e ardhshme, përfshirë dhe kontratën kolektive.

Fundi i kampionatit? Është një hipotezë që ne s’duam ta pranojmë dhe besojmë sepse dua t’i rikthehemi fushës. Por, qëndron dhe varianti që futbolli të përfundojë tani. Nëse nuk zhvillohet kampionati, nuk zhvillohet as Kupa. UEFA do të monitorojë nëse kampionati ka qenë ose jo i mundur për t’u zhvilluar.

Vendimi final? Nesër ka një takim paradite me Komitetin e Teknikëve. Unë s’jam nesër në takim. Por, nuk është e thënë dhe s’kam pse të jem. Momenti ka ardhur te detajet teknike, qoftë edhe për një qëndrim që mund të mos na pëlqejë. Por, besoj se do të jetë konform rregullave.

Liga? Ne prisnim miratimin e paketës së sportit në qershor, u shty dhe kapi fundin e vitit. U miratua por jo ashtu siç e kemi kërkuar. Qëllimi është që ekipet e ligës të kenë buxhetet e tyre. Ne e pamë situatën që ndodhi me COVID-19. Shpresojmë që kur të përfundojë kjo situatë emergjente, t’i rikthehemi edhe njëherë Ligës Profesioniste. Shtimi i skuadrave në Superligë merren një vit përpara. Nuk ka ndonjë gjë konkrete”, përfundoi ai./newsport/