Kontributi në sportin shqiptar ka marrë dhe vlerësimin e duhur për ata që kanë dhënë gjithçka për progresin e tij.

Presidenti Ilir Meta ka dekoruar me Titullin e Lartë, “Mjeshtër i Madh” Marie Rranzin, Eljaz Ahmetin si dhe dy çiklistët e shquar, Brahim Sykën dhe Arben Hetën. Lajmi është bërë me dije në kanalin zyrtar të presidencës ku shkruhej:

“Në vlerësim dhe me mirënjohje, për kontributin e çmuar të dhënë për zhvillimin cilësor të sportit shqiptar, si dhe për rezultatet e shkëlqyera të arritura ndër vite, që kanë lartësuar imazhin e Shqipërisë në arenat ndërkombëtare, pata kënaqësinë e veçantë të çmoja me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” një buqetë sportistësh kampionë në atletikë, mundje dhe çiklizëm.

I lumtur t’i akordoja këtë titull të merituar, pioneres së paharruar të sportit dhe Kampiones tonë të parë femër, Marie Rranzit, atletes, basketbollistes, vojelbollistes dhe pedagoges së dashur të edukimit fizik të dhjetëra brezave.

Vlerësova gjithashtu, mundësin kampion të “Vllaznisë” dhe “Partizanit”, trajnerin e pasionuar, Eljaz Ahmeti (Dini), si dhe dy çiklistët e shquar, Brahim Syka dhe Arben Heta, që për vite me radhë dëshmuan aftësi të shkëlqyera në rezultatet e arritura.

Shembulli i sukseseve të tyre, duhet të jetë një frymëzim, sidomos për fëmijët dhe për të rinjtë e sotëm, që të angazhohen me sport dhe të orientohen drejt modeleve të duhura të suksesit në karrierë dhe në jetë”.