Në ndeshjen e organizuar më datë 18 korrik në Pukë mes Tërbunit dhe Egnatias, lojtarët dhe stafi mik u dhunuan nga kundërshtarët. Pas përballjes së përfunduar me shifrat 1-1 Komisioni i Displinës e mori çështjen në shqyrtim dhe vendosi për eliminimin e klubit nga Puka nga Kategoria e Parë dhe zbritjen e saj në të Dytën.

Pas këtij vendimi ka reaguar Kryetari i Bashkisë, njëkohëshisht edhe presidenti i klubit, Gjon Gjonaj. Sipas tij, ky vendim është i tepruar dhe klubi do e apelojë deri në gjykatat e nivelit të lartë. Ai akuzon se përjashtimi i Tërbunit ka ndodhur për të shpëtuar Dinamon nga rënia në Kategorinë e Dytë.

DEKLARATA E GJONAJT, E POSTUAR NGA KLUBI NË RRJETET SOCIALE:

Vendim ekstrem dhe i pa llogjikshëm, do ta apelojmë deri në gjykaten më të lartë, deri kur të vihet drejtësia në vend. Provat nuk janë marrë të sakta diten kur ndeshja përfundoi nga vëzhguesit e federatës ose janë ndryshuar gjatë rrugës nga komisioni i disiplinës dhe ekipi kundërshtar atë ditë nuk erdhi për futboll, por për provokime dhe për t’ia bërë sa më të lehtë rrugen Dinamos.

Gjithcka ishte e qëllimshme ishte e planifikuar mjaftë mirë që ekipin tonë ta dërgonin deri në këtë pikë padrejtësisht sepse brenda në fushë askush nuk na mundi dot dhe normalisht i ranë një rruge tjetër për të na mundur. Në fushë ishte cdo gjë korrekte si dhe nga arbitrimi, ku gjej rastin ti falenderoj për profesionalizmin e treguar 3-shes së gjykimit.

Nuk ishte ngjarje e atyre përmasave sa të dënohej i gjithë ekipi dhe nuk mund të hidhet poshtë një sezon i tërë, gjithë ai mund i atyre djemve që luajten denjësisht deri në fund për fanellen e TËRBUNI-t, por dhe i gjithë tifozëve Pukjanë të cilët na kanë mbështetur kudo, vetëm për një video 10 sekonda ku më shumë ka vetëm rrëmujë sesa grushte sic pretendon Egnatia dhe federata, ky vendim është totalisht i pavend dhe i padrejtë.

Ne do ta apelojmë vendimin dhe do të shkojmë në të gjitha shkallët e mundshme për të kërkuar drejtësi sepse po e shohin të gjithë që nuk po bëhet një vlersim real i situatës. TËRBUNI ka dhënë shembuj konkret të mikpritjes, qytetarisë dhe kulturës kudo në cdo drejtim dhe nuk kemi pasur qoftë më të voglin incident që prej 11 viteve.

Forca TËRBUNI, të gjithë tifozëve ju premtoj se do të bëjmë cdo gjë që është e mundur për ta rikthyer aty ku e meriton me të vërtet ky ekip dhe do jemi edhe më të fortë. /vipsport/