“Koronavirus” po teston, veç të tjerash, edhe aleancat mes shteteve të fuqishme, rivalitetin e fshehur mes tyre. Diçka e tillë po evidentohet mes SHBA dhe Gjermanisë.

Dy palët janë në një luftë për vaksinën, që mund të prodhohet kundër këtij virusi të frikshëm, që ka gjunjëzuar mbarë globin. Në këtë betejë është përfshirë edhe presidenti i Hoffenheim, klubit të Bundesligës, Dietmar Hopp. 

Në fakt, ai është një nga presidentët më të urryer nga tifozët gjermanë, por mund të bëhet një nga heronjtë e luftës kundër “Coronavirus”. Prestigjiozja gjermane “Der Speigel” shkruan se kompania e tij, “CureVac”, është duke eksperimentuar vaksinën efikase ndaj virusit vdekjeprurës.

“Nëse duam të zhvillojmë një vaksinë efektive të “Coronavirus”, personi që e merr atë jo vetëm duhet të shërohet vetë, por të arrijë të mbrojë njerëzit e tjerë, të ketë më shumë solidaritet me ta”, – tha Hopp, kompaninë e të cilit, kohët e fundit është përfolur se do ta blinte presidenti i SHBA, Donald Trump, për të pasur ekskluzivitetin e asaj që po mban në ankth krejt botën. 

Formula e vaksinës, në çdo rast, nuk do të shitet në SHBA, siç konfirmohet nga Ministri Federal i Ekonomisë, Peter Altmaier (CDU) në ARD: “Ky ishte një vendim i shkëlqyeshëm nga drejtuesit e kompanisë.

Nga dëshira për të ofruar një vaksinë të mundshme për të gjithë, ata duan ta bëjnë të qartë se çfarë domethënie ka përballimi i një krize të tillë. Gjermania nuk është në shitje!”