Besëlidhja mori një fitore të çmuar ndaj Apolonisë, duke konsoliduar pozitat e mbijetesës. Para nisjes së stërvitjes së djeshme, u zhvillua edhe analiza e zakonshme.

Përveç futbollistëve dhe stafit teknik, i pranishëm ishte edhe presidenti. Gjok Noka foli edhe për “Panorama Sport”, ndërsa hapur shpalli ambicien për ngjitjen.

“Nga ndeshja në ndeshje dhe sidomos ndaj ekipeve të forta, Besëlidhja po tregon vlerat e vërteta të saj. Kaluam një fazë të parë me dy standarde dhe deri vonë mbetëm në zonën e rrezikut.

Ai nuk ishte ekipi im. Më vonë reaguam, duke arritur fitore të çmuara edhe jashtë dhe kjo na nxori nga halli. Shumë pikë i kemi lënë rrugës edhe për fajet tona, por shumë syresh edhe për ndikime që tashmë i kemi bërë të ditura.

Faza e dytë po flet për ne. Tani nuk mendojmë më për mbijetesën, por për zonën ‘play off’. Ndaj Apolonisë treguam kush është Besëlidhja. Mund të fitonim edhe më thellë, por mjaftojnë loja plot grintë dhe tri pikët. E kishim vlerësuar kundërshtarin, pasi është një ekip me vlera dhe e dinim se do të luftonte në Lezhë.

Lodhja dhe streset gjatë javës stërvitore i dhanë frytet, ndaj kërkoj nga ekipi dhe stafi që këtë që bënë javën e kaluar, ta shndërrojnë në traditë. Jam i lumtur që ekipi, me shumicën dërrmuese futbollistë të rinj, po konsolidohet në pritshmëritë tona.

Kjo është shumë e rëndësishme për ne. Fitorja ndaj Apolonisë erdhi si rezultat i punës profesionale të Alban Brukës dhe pjesës tjetër të stafit, pa harruar ata: futbollistët. Tani po mendojmë seriozisht për pjesën e mbetur të kampionatit, pasi objektiv kemi ngjitjen me anë të ndeshjeve shtesë.

Jam i bindur dhe deklaroj pa frikë se tashmë po ndërtohet një Besëlidhje e frikshme me futbollistë të rinj për perspektivën”, përfundoi kreu i klubit lezhjan.