Rikthimi i Kukësit në stadiumin e ri, që nga “Zeqir Ymeri” tashmë do të quhet “Kukës Arena”, mund të ndodhë në ndeshjen e fundit të fazës së tretë, pikërisht ndaj Tiranës.

Deri më 2 prill, kur dhe është programuar për t’u zhvilluar ky takim, ka edhe dy javë kohë dhe me ngrohjen e motit gjasat që fusha të jetë gati janë të mëdha.

Megjithatë, në Kukës ende nuk ka një konfirmim zyrtar për këtë datë, pasi nuk është marrë konfirmimi nga ekspertët e fushës. Verilindorët kanë më shumë se tri vite që shtegtojnë nëpër Shqipëri dhe në stadiume të tjera, por duket se makthi merr fund në prill.

Edhe faqja zyrtare e klubit, me një postim pas ndeshjes ndaj Dinamos, pasi falënderonte tifozët për mbështetjen në stadiumin e Kamzës, ndër të tjera shkruante: “Shihemi së shpejti në shtëpi”. Impianti është gati, por vetëm problemi me fushën ka shtyrë inaugurimin.