Shënoi një tripletë në ndeshjen e fundit të fituar nga skuadra e Murlanit në shifrat 1-4 përballë Bulqizës. Protagonist ishte Rigers Xhahysa i cili në një prononcim të fundit flet për tregolëshin, si edhe sezonin që po kalon apo edhe ëndrrën Vllaznia.

Xhahysa tha: “Jam shumë i lumtur për 3 golat që shënova. Ia dedikoj familjes, Zotit dhe xhaxhait tim, Altin Xhahysa që është edhe trajneri i skuadrës. Unë po kap formën time më të mirë pas një periudhe ku vuajta nga një dëmtim, por edhe Covid-19.

Tashmë dalëngadalë po marr veten dhe po ndihmoj edhe Murlanin për objektivat e veta. Uroj që me arritjen e formës më të mirë të gjej ndoshta edhe një ekip më konkurrues.

Vllaznia? E kush është ai shkodran që nuk e do Vllazninë dhe të jetë pjesë e saj. Normalisht që edhe unë dua një ditë të luaj aty, por do ia lëmë kohës sepse nuk dihet kurrë se çfarë mund të sjellë e ardhmja”.
Endri ÇINARI