Në sezonin që sapo u mbyll, Ada e Velipojës arriti të siguronte qëndrimin sërish në kategorinë e dytë të futbollit shqiptar vetëm pas fitores 6-2 në ndeshjen e play-out ndaj Valbonës. Një fitore që ka gëzuar për momentin futbollistët dhe drejtuesit e saj, por realisht nuk ka arsye për të gëzuar.
Ky ekip prej vitesh ka thënë fjalën e tij me shumë autoritet në kategorinë e parë, por 3-4 vitet e fundit gjërat janë përkeqësuar dhe si rrjedhojë gjërat kanë shkuar deri aty sa të diskutojë edhe qëndrimin në kategorinë e dytë.
Por presidenti Alfred Pjetri në një prononcim për “SHkodra Sport” premton se ai që sapo u mbyll, do të jetë i fundit me të tilla probleme për Adën. “Kemi kaluar një sezon të vështirë sepse patëm probleme që në fillim dhe ato vazhduan pastaj deri në fund.
Unë dua të falenderoj trajnerin Pepaj dhe futbollistët për sakrificën e bërë dhe premtoj se sezoni tjetër do të jetë krejt ndryshe. Shumë shpejt do të fillojmë riorganizimin e skuadrës dhe besoj se këtë herë do të kemi një organikë më të mirë lojtarësh në dispozicion të stafit teknik dhe po ashtu edhe kushte më të mira stërvitore.
Ada ka dhënë një kontribut të madh prej vitesh në futbollin shqiptar dhe askush nuk mund t’i harrojë ndeshjet e mëdha që kemi bërë me ekipe si Dinamo, Partizani, Skënderbeu, Flamurtari etj. Po ashtu janë të shumtë lojtarët të cilët kanë kaluar përmes Adës dhe kanë bërë karrierë pastaj në skuadra të ndryshme të Superligës por edhe jashtë vendit. Kjo histori ka për t’u përsëritur sërish dhe për këtë ju siguroj unë”- ka thënë presidenti i skuadrës velipojake.
www.shkodrasport.com