Gjatë prezantimit të trajnerit të ri të Dinamos, Rodolfo Vanoli, ka folur dhe administratori i klubit, Ilir Sinani, i cili foli për teknikun e ri, por edhe për largimin e dy të mëparshmëve, Bledi Shkëmbit dhe Bledar Devollit.

“Që në fillim të sezonit, presidenti i besoi shumë trajnerit të parë, i cili bëri përzgjedhjen e ekipit. Ai bëri punë të mirë, bëri një grup, por edhe fati nuk e ndoqi, sepse Dinamo bëri disa ndeshje të mira gjatë sezonit.

Në merkaton e janarit përsëri bëmë disa përforcime dhe morëm si trajner të dytë zotin Devollin, të cilin e njihte shumë mirë trajneri Shkëmbi. Rezultatet e dobëta na detyruan që të bënim një ndërrim mes Shkëmbit dhe Devollit.

Devolli e mori me entuziazëm, dha shumë lojëra të mirë, por nuk patëm rezultatet dhe u detyruam të ndërrojmë trajnerin. Presidenti ka një filozofi të vetën: ai ka duruar në maksimum, i ka duruar të gjithë. Në fund kontaktoi me Vanolin dhe i besoi ekipin për këtë pjesë të mbetur të sezonit.

Vanoli e njeh kampionatin shqiptar dhe ka marrë përsipër objektivin që të jemi në Superiore. Megjithatë, presidenti i dha dje garancinë se edhe nëse nuk do të jemi në Superiore, Dinamo do të vazhdojë me Vanolin rrugëtimin e gjatë.

Shkarkimi i Devollit? Nëse në shtatë takime merr vetëm një fitore dhe një barazim, ku është efektiviteti i punës tënde? S’po llogaris katër ndeshjet si ndihmës i Shkëmbit…

Devolli hidhte idenë se Dinamos i duhej trajner vendas, do ishte më mirë, por presidenti e pa të udhës që më mirë të merrte Vanolin, një trajner me eksperiencë”, u shpreh administratori i Dinamos.