Vonesat e ambulancave në ndeshjet e futbollit, shpesh herë kanë qenë një problem mjaft shqetësues, duke qenë se janë rrezikuar jetët e futbollistëve që mund të kenë pësuar dëmtim gjatë lojës. Tashmë jemi mësuar të shohim që në Shqipëri, madje edhe në Kategorinë Superiore, pa kaluar në ligat më poshtë, shërbimi mjekësor në futboll është një problem, por mesa duket nuk jemi të vetmit.

Këtë radhë është Anglia shembulli jo i mirë sa i përket ambulancës duke qenë se në takimin mes Mançester Junajtidit dhe Sharltonit për femra, ka mbetur e dëmtuar një nga mbrojtëset e miqve dhe ambulanca është vonuar disi për të marrë futbollisten.

Mediat britanike, raportojnë se pas 30 minutash, ambulanca e ka marrë mbrojtësen duke e dërguar në spital, ndërkohë që zyrtarët e ndeshjes kanë marrë një vendim.

Ka qenë gjyqtari i takimit ai i cili u ka kërkuar futbollisteve që të shkojnë në dhomat e zhveshjes, ndërkohë që në një njoftim të dytë, u është thënë se takimi do të ndërpritet për shkak të mungesës së kushteve mjekësore dhe se do te merret një vendim tjetër për këtë takim. Pak minuta para se ndeshja të ndërpritej, femrat e Mançesterit kishin arritur të shënonin një gol. /VipSport/