Vllaznia pësoi humbjen e parë në këtë sezon. Një humbje që përtej rezultatit dha një impakt negativ edhe te shtimi i numrit të të dëmtuarve te kjo skuadër. Ndaj kurbinasve u dëmtuan tre titullarë, të cilët tashmë kanë alarmuar kuqeblutë. Fillimisht u dëmtua Esin Hakaj, i cili doli nga fusha në minutën e 62-të duke çaluar, pasi mori një dëmtim në këmbën e majtë.

Ndërkohë në minutën e 74-t la fushën e lojës edhe Esat Mala. Menjëherë stafi mjekësor u kujdesën për të dhe ditën e sotme lojtarët do t’u nënshtrohen vizitave mjekësore për të mësuar edhe shkallën e dëmtimit. Po ashtu, i dëmtuar nga fusha e lojës u largua edhe mbrojtësi Gledjan Pusi dhe kjo e vështirëson edhe më shumë situatën te skuadra shkodrane.

Kjo mban në “ankth” kuqeblutë, me lojtarët që rrezikojnë të humbasin duelin e ditës së shtunë me Teutën që do të luhet në “Loro Boriçi”. Kjo përballje është e vlefshme për javën e 5-të të Superiores dhe do të startojë në orën 20:15. Por si të mos mjaftonin këta tre lojtarë, dy të tjerë janë të dëmtuar. Bëhet fjalë për dyshen Marko Juriç e Flori Spahija.

I pari mungoi në takimin ndaj Laçit, pasi u mësua se kishte një kontraktim. Ndërsa për mbrojtësin e majtë Spahija duket se miqësorja mes llojit e ka lënë me pasoja jo të vogla. Ai është dëmtuar dhe me shumë gjasa për më shumë se një muaj e gjysmë do të mungojë edhe në stërvitje.

Po nëse Spahija nuk ka qenë një ndër titullarët në këto katër javë, shqetësimi është pikërisht te Hakaj, Mala e Pusi. Hakaj mësohet se ka pësuar një tërheqje në këmbën e majtë dhe do të jetë i pamundur që të jetë pjesë e takimit të së shtunës.

Po ashtu shqetësim ka edhe mbrojtësi i ri Pusi, por mesa mësohet situata e tij nuk është ashtu si e Hakajt. Ndërsa Mala duket se e ka më të ulët shkallën e shqetësimit që kishte. Shpresa për një rikthim në formacion jep edhe Juriç që mund të jetë i gatshëm për sfidën e së shtunës ndaj Teutës.

Ajo që po shqetëson është fakti se pothuajse të gjithë lojtarët po ndiejnë jo pak shqetësime. Mbingarkesa edhe në këtë periudhë ku ngjeshja e takimeve është e madhe mesa duket po jep shenja jo të mira te lojtarët. Kjo po shoqërohet me dëmtime të njëpasnjëshme dhe me një skuadër që në aspektin fizik lë për të dëshiruar.