Përfaqësuesja e Kosovës ka nisur menjëherë punën pas miqësores me Lituaninë, të cilën e fituan 4-0. Tani “Dardanët” kanë nisur të mendojnë për ndeshjet kualifikuese të Botërorit “Katar 2022” dhe premierën e kanë në shtëpi ndaj Suedisë së Zlatan Ibrahimoviçit.

Dje të besuarit e trajnerit Shaland kanë kryer një seancë që u mbajt në fushën e Kampit Nacional Edukativ në Hajvali. Në këtë seancë në terren morën pjesë 11 futbollistë, pikërisht ata që nuk luajtën në miqësore dhe ata që kishin minutazh më të vogël.

Ndërsa titullarët që u angazhuan ndaj Lituanisë kanë kryer një seancë relaksuese dhe rigjeneruese në ambientet e hotelit ku qëndron ekipi përfaqësues.

Gjatë seancës së djeshme, trajneri Shaland dha instruksionet e tij për lojtarët në aspektin taktik për ndeshjen e radhës kundër Suedisë. Gjatë seancës u vërejt përkushtim i madh nga të gjithë lojtarët e pranishëm në stërvitje. Ndaj Suedisë “Dardanët” vijnë me probleme në repartin difensiv.

Trajneri Shaland nuk mund të llogarisë për suedezët shërbimet e mbrojtësit Ibrahim Dresheviç, i cili do të vuajë ndëshkimin me karton të kuq në kuadër të kualifikimeve të fundit në Ligën e Kombeve ndaj Moldavisë. Ndërsa mbrojtësi Betim Fazliji është në dyshim për shkak të lëndimit.

Ndaj Suedisë trajneri Bernard Shaland do të jetë i detyruar të modifikojë repartin e mbrojtjes duke pasur edhe mungesën e Amir Rrahmanit, i cili për shkak të lëndimit la grumbullimin e përfaqësueses dhe shkoi në Itali, për të vazhduar fazën riaftësuese te skuadra e tij, Napoli.

Katër kundërshtarët e Kosovës në Grupin B kanë luajtur dje mes tyre, ku Suedia ka fituar 1-0 me Gjeorgjinë, ndërsa Spanja ka zhgënjyer në start, pasi ka barazuar 1-1 në shtëpi me Greqinë.