Tekniku i Vllaznisë, Mirsad Jonuz, e quan të vështirë për çdo skuadër rikthimin për të mbyllur këtë pjesë të sezonit. Sipas tij, gjendja e lojtarëve nuk pritet që të jetë më e mira, ndërsa e quan pozitive faktin se në këto takime do të ketë katër mundësi për zëvendësime. Ai ka folur edhe për stabilizimin e situatës financiare në ekipin e tij, ndërsa është i mendimit se Vllaznia do ta nisë me fitore këtë rrugëtim të vështirë.

Sa e vështirë është që të rinisë ky sezon?

Është shumë e vështirë. Ka më shumë se dy muaj që lojtarët nuk kanë luajtur. Stërvitja ka nisur më 18 maj, gjë që është shumë pak për t’u stërvitur. Kjo periudhë është shumë e vështirë për të luajtur, por gjithsesi sporti duhet të fillojë dhe ne duhet të luajmë.

Si duket gjendja e lojtarëve?

Kondicioni i disa lojtarëve është i mirë, i disave jo. Kemi pasur probleme me dy lojtarët që mbërritën nga Maqedonia, Efremov e Adili. Tani ata po stërviten për të arritur formën. Po ashtu 3-4 lojtarë janë me probleme fizike. Tani me përjashtim të Ramadanit, pjesa tjetër po vjen dalëngadalë në formën e tyre. Tani është shumë e rëndësishme që të vijnë në formën e tyre Efremov e Adili.

Vllaznia shfaqi sërish problemin e pagave para kësaj sfide. Si është situata tani?

Problemet financiare mund të quhen tani të përfunduara. Çdo gjë është gati për të vazhduar vetëm me futbollin e luajtur.

Cili është objektivi i Vllaznisë për sot?

S’ka asnjë diskutim, do të shkojmë për të marrë 3 pikët në këtë sfidë. Është një takim i rëndësishëm për ne.

Vllaznia është në vendin e 8-të, atë të “play out”-it, ka forca kjo Vllazni që në fund të sezonit të mos jetë sërish këtu?

Pas katër ndeshjeve të para do të shikojmë situatën e lojtarëve, gjendjen e tyre. Pas një programi kaq të ngjeshur, mund të ketë edhe dëmtime më të shumta. Ndeshjet janë shumë shpejt. Por për mua është shumë pozitive që mund të kesh 4 ndërrime në dispozicion. Ndërsa do t’u them lojtarëve të mi, por jo vetëm që të mbajnë sërish distancën pasi nuk është e përfunduar ende pandemia. Ne e kemi situatën të mirë në klub për këtë gjë, por duhet kujdes.

Ju vetëm dje keni bërë edhe testin tjetër, cili është rezultati i tij?

Po, dje kam marrë përgjigjen e testit, kam dalë negativ. Dje u hap edhe kufiri, u hoq karantina dhe nga dje jam i lirë. Sot do të jem në pankinë.