Opinion nga Roland ÇOMO

E dëgjoj me shumë interes në çdo emision apo çdo intervistë kur flet për Vllazninë apo dhe futbollin shqiptar. Askush nuk mund ta mohojë përvojën e profesor Rragamit dhe ideja që ai të jetë këshilltari i Vatës është pozitive. Por asnjëherë nuk e kemi dëgjuar profesorin të vërë pikat mbi “i” se kush është fajtori për gjendjen që është tek Vllaznia sepse nuk e ndihmojmë Vllazninë duke folur vetëm fjalë të mira. Përkundrazi e dëmtojmë. Nuk është aspak e vërtetë se lëvizshmëria në fushë është më e mirë ose të ketë pësuar ndonjë ndryshim nga koha kur ekipin e kanë drejtuar trajnerë të tjerë. Poblemet e Vllaznisë dolën nga brenda jashtë dhe jo nga jashtë brenda. Profesori duhet të thotë nëse merkatoja e Vllaznisë ishte cilësore, a është normale që të shkatërrohet boshti i skuadrës gjë që në anën profesionale a njihet ky precedent në historinë e ndonjë skuadre, kush mban përgjegjësi për cilësinë e lojtarëve që erdhën tek Vllaznia, a kanë pasur këta lojtarë apo ata që u provuan kartonin shoqërues, më saktë CV-në me statistikat dhe rezultatet e tyre, a kanë qenë aktiv këtë periudhë përpara se të vinin te Vllaznia. Përse paga e këtyre lojtarëve është më e madhe se e disa lojtarëve cilësorë që u larguan nga Vllaznia? Të gjithë duam të shikojmë një Vllazni konkurruese dhe të suksesshme, por a e ndihmojmë duke fshehur ato që janë përgjegjës për këtë gjendje, apo duke folur mirë gjithmone?! Megjithëse personalisht gabimin kryesor e shoh te legjislacioni për sportin që nuk lejon privatizimin e klubeve ku shteti të qëndroj larg sportit në vendim-marrje.