Hysen Zmijani ishte një ndër mbrojtësit jo vetëm shkodran, por edhe shqiptar më me klas në kohën e tij. Profesor Hysa, ashtu siç e thërrasin të gjithë, ka luajtur në Shqipëri, Francë, Arabi Saudite dhe Gjermani. Poashtu, ai ka luajtur edhe me Kombëtaren e Shqipërisë.

Zmijani lindi në Shkodër më 29-prill 1963 në një familje sportistësh dhe që në moshë të vogël u mor me futbollin, duke luajtur si mbrojtës i djathtë. Zmijani është vlerësuar nga shumë ekspertë të futbollit në Shqipëri, si mbrojtësi i djathtë më i madh i Vllaznisë në histori.

Xhaxhai i tij, Sadetin Zmijani ishte kapiteni i Vllaznisë në vitet 60’, ndërsa daja ishte boksier dhe djali i tij çiklist. Zmijani bëri debutimin e tij për Vllazninë në shtator 1981 kundër Tomorit të Beratit dhe ndihmoi klubin të fitonte kampionatin, në një ekip që mburrej me futbollistët e tjerë me famë ndërkombëtare si Ferid Rragami, Fatbardh Jera, Hysen Dedja, Luan Vukatana dhe Astrit Hafizi.

Në vitin 1985, Zmijani ishte fitues i çmimit “10-sportistët më të mirë në Shqipëri”, të bërë nga gazeta Sporti Popullor. Në sezonin 1986-1987, ai fitoi një tjetër çmim individual, pasi ishte pjesë e çmimeve “10-sportistët më të mirë në Shkodër” dhe në fund të sezonit, ndihmoi ekipin të fitonte Kupën e Shqipërisë, duke mundur Flamurtarin e Vlorës me rezultatin e përgjithshëm 4-3.

Ai është edhe shqiptari i parë që ka luajtur jashtë vendit pas komunizmit. Më vonë gjatë karrierës së tij, Zmijani luajti në nivele të larta në Francë, në Arabinë Saudite dhe në Gjermani, përkatësisht për Gazeleç Ajaçio, Al Nassr dhe FC St. Pauli.

Zmijani nënshkroi për Gazeleç Ajaçio në vitin 1991. Pas ndeshjes kundër Francës, ai u kontaktua nga një gazetar, i cili e propozoi atë në klubin që luante në Ligue 2 në atë kohë. Ai nënshkroi kontratën pasi mbërriti në Shqipëri, me kontratën që përmbante një ndeshje miqësore mes klubit të tij të ri dhe Vllaznisë, miqësore që u dha shumë futbollistëve mundësinë për një jetë të re larg Shqipërisë pas rënies së komunizmit.

Ai ishte futbollisti i parë shqiptar që nënshkroi zyrtarisht kontratë me një klub të huaj pas rënies së komunizmit. Zmijani nënshkroi me Al Nassr të Arabisë Saudite në sezonin 1993-1994. Në sezonin e tij të parë, ai ndihmoi klubin të fitonte kampionatin, pasi mposhti Al-Riyadh SC 3-1 në finale. Skuadra përsëriti suksesin edhe në sezonin e ardhshëm.

Ndërkohë, në karrierën me Kombëtaren, Zmijani ishte pjesë e skuadrës së Shqipërisë U-21 në epokën e tyre historike, në të cilën ata arritën të kualifikoheshin në një kampionat europian UEFA U-21 për herë të parë në histori. Ai luajti në çdo ndeshje kualifikuese, ndërsa Shqipëria në grupin 6 e përfundoi në vendin e parë përpara Gjermanisë Perëndimore, Turqisë dhe Austrisë.

Ai bëri debutimin e tij të parë për Shqipërinë, në një ndeshje kualifikuese për Kupën e Botës në tetor, FIFA 1984 kundër Belgjikës dhe realizoi gjithsej 36-paraqitje, duke shënuar dy gola. Ndeshja e tij e fundit me Kombëtaren ishte një ndeshje kualifikuese e kampionatit europian të nëntorit 1995 kundër Uellsit. Ai u shfaq në 18-ndeshje kualifikuese të Kupës së Botës.

Në jetën personale, idhulli dhe frymëzimi më i madh i Zmijanit ishte ish-futbollisti argjentinas, Diego Maradona. Ky është pra Hysen Zmijani, një ndër mbrojtësit e djathtë më të mirë në historinë e Vllaznisë.

Tashmë, ai në moshën 59-vjeçare ka akoma shumë për të dhënë për futbollin shkodran, teksa Zmijani mbetet një ndër figurat më kryesore dhe më të respektuara të Shkodrës. Jetë të gjatë profesor Hysa!
Maringlen ZHIVANI