Luan Zmijani është një nga emrat e dinastisë Zmijani në fushën e futbollit. Ai ka punuar prej vitesh në Akademinë Vllaznia dhe ka bërë një punë të shkëlqyer, duke nxjerrë futbollistë të talentuar, të cilët kanë mbushur dhe po mbushin jo vetëm rradhët e Vllaznisë, por edhe të ekipeve të tjera të Superiores.

Deri më tani me punën e bërë prej tij, ai duket i kënaqur. Ajo që e gëzon më shumë, është se e bën me shumë dëshirë dhe sinqeritet këtë punë dhe sheh të rriten çdo ditë nepër duart e tij shumë futbollistë të talentuar.

Luan Zmijani ka lindur më 19 qershor 1976 në Shkodër dhe është angazhuar shpejt me futbollin, duke mbërritur në vitin 1993 tek ekipi i parë, që në atë kohë drejtohej nga trajneri Astrit Hafizi. Ai filloi të luajë në formacion që në moshë të vogël dhe është një nga protagonistët e suksesit të vitit 1998, kur Vllaznia fitoi titullin kampion dhe mbrojtësi shkodran ka kontributin e tij në këtë sukses.

Po proashtu, Zmijani ka dhënë kontributin e tij edhe tek titulli kampion i fituar në sezonin 2000-2001, ku ai është futur në fushë si titullar, në të 26-ndeshjet e tij dhe për këtë arsye shpërblehet me medaljen e dytë të kampionit.

Pas këtij suksesi, ai nuk do të arrinte akordin me drejtuesit e klubit për të vazhduar kontratën dhe për rrjedhojë, do të largohej për tek Partizani, me të cilin luan një sezon dhe më pas për gjashtë muaj tek Besëlidhja, para se të rikthehej sërish tek Vllaznia, në janar të vitit 2003.

Zmijani luan edhe një sezon tjetër në Shkodër dhe më pas kalon tek Egnatia e Rrogozhinës, ku edhe do të mbyllte karrierën e tij sportive. Gjatë kësaj karriere, ka qenë një futbollist titullar edhe në ekipin e Kombëtares U-21, por ka luajtur edhe dy me Kombëtaren A.

Ai bëri debutimin e tij për Shqipërinë, në një ndeshje të turneut ndërkombëtar të Bahreinit në janar 2002 kundër Finlandës dhe realizoi gjithsej dy paraqitje, pa shënuar asnjë gol.

Pas lënies së sportit, Zmijani ka nisur punë si trajner, duke qenë një nga ma të suksesshmit tek Akademia Vllaznia, me ekipet e të cilës ka arritur të fitojë edhe disa trofe. Ndërkohë, nga muaji mars deri në tetor të vitit 2015, ka drejtuar edhe ekipin e parë të Vllaznisë.

Me Vllaznia U-19, si trajner Luan Zmijani ka arritur të fitojë pesë trofe. Një karrierë si trajner në mënyrën e duhur dhe për më tepër, Zmijani ka krijuar profilin e njeriut të sukseseve.

Kështu, ai ka qenë trajner i Vllaznisë kampione në sezonin 2013-2014, kur pjesë e këtij ekipi kanë qenë futbollistët Alen Sherri, Erdenis Gurishta, Samet Ruqi dhe të tjerë që sot janë pjesë e Vllaznisë ose jo. Poashtu, pjesë e këtij brezi futbollistësh, kanë qenë edhe Arlind Kalaja, që luan aktualisht në Suedi, Eraldo Çinari që luan në Turqi, Denis Pjeshka që luan me Flamurtarin, Ditmir Beci që luan me Erzenin apo edhe shumë të tjerë.

Pas këtij suksesi të parë, për disa muaj mori drejtimin e ekipit të parë të Vllaznisë, por aty gjërat nuk i shkuan ashtu si duhet, kjo për shumë arsye. Më pas, mori drejtimin e ekipit U-13, me të cilin sigurisht që nuk mund të mungonin sukseset, por drejtuesit e klubit sërish e panë të arsyeshme ta “gradonin” tek ekipi U-19, pas dorëheqjes së Elvin Beqirit, në fund të sezonit 2016-2017.

Luan Zmijani e mori këtë ekip kampion, në të njëjtin stad ku e kishte lënë. Detyra e tij ishte të vazhdonte më tej këtë rrugë dhe sukseset do jenë sërish të pranishme. Në sezonin 2017-2018, fiton të tre trofetë e sezonit, Kupën e Shqipërisë, trofeun e kampionit të Veriut dhe kampion i Shqipërisë.

Po ashtu së fundmi në 2019, me Vllaznia U-19 ka fituar Kupën e Shqipërisë, trofeu i pestë dhe kuptohet jo i fundit. Zmijani karakterizohet nga një disiplinë e fortë sportive, e cila në fakt i bën mirë futbollistëve të kësaj moshe dhe jo më kot, tifozët apo edhe drejtuesit, e konsiderojnë atë trajnerin “adap” për drejtimin e të rinjve.

Këtu hidhet baza e së ardhmes dhe ai e ka bërë siç duhet këtë detyrë, për t’i ndihmuar ato të jenë në nivelet e duhura për ekipin e parë. Ky është Luan Zmijani, një nga trajnerët më të suksesshëm të Akademisë Vllaznia.

Para tre ditësh, ai ka festuar datëlindjen e tij të 46-të, teksa ka akoma shumë për të dhënë për brezin e të rinjve në Shkodër, por jo vetëm. Vetëm suksese në karrierën tënde në vazhdim profesor Luan Zmijani!
Maringlen ZHIVANI