Futbollistët e huaj kanë qenë të shumtë pas viteve 2000 që kanë qenë pjesë e Vllaznisë. Futbollistë nga çdo cep i botës dhe nga kontinente të ndryshme kanë qenë pjesë e shkodranëve në sezone të ndryshme. I tillë ka qenë edhe Landry Mulemo. Ish-mbrojtësi i majtë me origjinë nga Kongo ka qenë pjesë e kuqebluve në edicionin 2016-17.

Në atë periudhë me një CV shumë të pasur, ku ish-futbollisti me pasaportë belge kishte luajtur me ekipe si Standard Liege apo Kortrijk në Belgjikë, vendosi të ishte pjesë e shkodranëve. Një aventurë që zgjati vetëm 6 muaj, kjo për shkak të problemeve fizike që kishte vetë lojtari.

Por ai dallohej për kualitetin që zotëronte sa herë kishte rastin të zbriste në fushë. Sot në moshën 36-vjeçare, tashmë Mulemo është tërhequr nga futbolli i luajtur. Megjithatë ai nuk qëndron jashtë botës së këtij sporti duke ushtruar rolin e menaxherit të futbollistëve. Kjo duke qenë pjesë e kompanisë Elite Soccer Sarl.

Një kompani që ushtron veprimtarinë e saj në gjithë Europën. Dhe që në menaxhimin e saj ka disa futbollistë me të vërtetë interesantë. Mulemo së fundmi ka qenë pjesëmarrës në disa transferime kryesisht në vende si Belgjika, Hollanda dhe Franca.
Endri ÇINARI