Brazili është preferenca dhe favoritja më e madhe e trajnerit të Vllaznisë, Mirel Josa, për fitimin e kampionatit botëror. Në një opinion të dhënë për “Panorama Sport”, tekniku i ekipit shkodran sheh Brazilin si favorit dhe si fituesin më të mundshëm të turneut që po luhet në Katar.

Josa u shpreh se Brazili ka futbollistët në gjendjen më të mirë fizike, duke iu referuar kampionateve në të cilët luajnë, ndërsa theksoi se kjo Kombëtare ka shumë lojtarë në formë. Kujtojmë këtu se, Brazili fitoi ndeshjen e parë me rezultatin 2-0 ndaj Serbisë.

“Unë them Brazili e fiton kampionatin botëror, sepse është një skuadër që për momentin dhe kohën që luhet ky kampionat, ka futbollistët në gjendjen më të mirë fizike, duke iu referuar kampionateve në të cilat luajnë. Realisht, ka shumë futbollistë në formë me aq sa kam parë.

Të them të drejtën, ka kohë që nuk e shikoj më futbollin me tifozllëk. Megjithatë, ai ekip që unë mbështes dhe simpatizoj ndër vite, nuk është në këtë Botëror të Katarit (qesh). Tashmë, me që Italia nuk merr pjesë, skuadër më të fortë shikoj Brazilin, për arsyet që përmenda më lart”,-mbylli prononcimin e tij, trajneri i Vllaznisë, Mirel Josa.
Maringlen ZHIVANI