Ditën e nesërme, do të nisë gara e sezonit të ri të kampionatit shqiptar në futsall, teksa këtë edicion do të kemi një rritje të konsiderueshme të skuadrave pjesëmarrëse. Tashmë, në këtë sezon do të marrin pjesë shtatë ekipe.

Kështu, një ndër këto ekipe pjesëmarrëse në këtë edicion të ri, do të jetë edhe Vllaznia. Ekipi shkodran do të ngrejë siparin e saj në këtë kampionat ditën e nesërme, me ndeshjen që do të luhet në Shkodër ndaj Diamant Futsall, në pallatin e sportit “Qazim Dervishi”, duke nisur nga ora 12:00.

Në këtë sezon, Vllaznia në futsall do të drejtohet nga trajneri Bujar Celufaj, ndërsa si drejtor teknik pritet të jetë Arben Xhaferi. Ekipi kuqeblu është gati për sezonin e ri dhe premtimet janë që trofeu i këtij kampionati do të sillet në Shkodër.

Lajmi per krijimin e ketij ekipi e ka bere te ditur edhe vete klubi Vllaznia permes faqes zyrtare ku shkruan: Klubi i Futbollit Vllaznia në përmbushje të objektivit për masivizimin dhe promovimin e sportit të futbollit në qytetin e Shkodrës, në bashkëpunim me një grup dashamirësish dhe biznesmenësh të sukseshëm, ka vendosur krijimin e shoqatës sportive “Vllaznia Futsal” .

Klubi i Futbollit Vllaznia në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër ka bërë të mundur pjesmarrjen e menjëhershme në kampionatin e futsallës i cili starton me datën 26 nëntor 2022, ora 12.00 në Pallatin e Sportit Qazim Dervishi, Shkodër me ndeshjen Vllaznia Futsal – Diamant Futsal.

Ftojmë të gjithë sportdashësit, dashamirësit e këtij sporti, biznesmenë të suksesshëm të qytetit të Shkodrës të bashkohen në ngritjen e ekipit të futsallës në nivele të konkurrueshme kombëtare dhe ndërkombëtare!
Maringlen ZHIVANI